​25-vjetori i protestave studentore, Kurti nderon profesor Statovcin: Ishte figurë e jashtëzakonshme

Aktuale

​25-vjetori i protestave studentore, Kurti nderon profesor Statovcin: Ishte figurë e jashtëzakonshme

Më: 1 tetor 2022 Në ora: 10:44
Albin Kurti

Sot janë bërë 25-vite nga protesta studentore e 1 tetorit të vitit 1997. Në këtë përvjetor, në nderim të veprës së profesorit dhe rektorit të atëhershëm të Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, kryeministri, Albin Kurti, ka vënë kurora lulesh dhe ka bërë homazhe para varrit të tij.

Kurti tha se profesor Statovici ka qenë një figurë e jashtëzakonshme në kohën e duhur që ishte në ballë të ndryshimeve të domosdoshme demokratike e kombëtare e që mbështeti studentët.

Kurti: Profesor Statovci, figurë e jashtëzakonshme

"Ato dekadat të jetës së tij ia kanë vlejtur shumë, jo vetëm për të dhe familjen e tij por për universitetin, Kosovën, studentët, për popullin dhe për mbarë kombin shqiptar. Ai ishte edhe trim, edhe i urtë, institucionalist dhe kryengritës, akademik dhe intelektual, figurë e jashtëzakonshme në kohën e duhur që askush tjetër para tij dhe pas tij ishte gjithmonë bashkë me studentët dhe në ballë të ndryshimeve të domosdoshme demokratike e kombëtare. Andaj sot kur shënojmë 25-vjetorin e 1tetorit të vitit 1997, padyshim se e kujtojmë me shumë mall dhe i përkulemi me krenari, sepse ishim me shume fat që e patëm", tha ai.

Drita Statovci, bashkëshortja e profesor Ejup Statovit, tha se duke kujtuar ish-rektorin, nderohet vendi e historia.

Statovci: Pa Ejupin demonstratat do të ishin ndryshe

"Po respektohet prof.dr Ejup Statovci si rektor historik, rektor i rezistencës, të gjitha këto qëndrojnë, por më kryesorja është se e respektojnë veten dhe vendin, ndërtojnë traditë, histori, dhe këto janë momente të pashlyeshme të cilat vazhdojnë edhe me tutje dhe e ndërtojnë vazhdimisht traditën. Dikush thotë për të se është bashkangjitur, punoi, dikush thotë është pajtuar, e unë them pa të edhe protestat do të ishin ndryshe, me të studentet kanë qenë ndryshe, sepse ai ditën që është dalë në demonstrata tha se ‘unë jo që dua t'i përkrahë, por dua t'i mbroj studentët’", tha ajo.

Një nga udhëheqësit e asaj lëvizjeje studentore, Bujar Dugolli, ka nderuar veprën e profesor Statovcit duke thënë se i shërbeu popullit dhe ëndrrës për liri e pavarësi të shqiptarëve të Kosovës.

Dugolli: Statcovi ishte më shumë se rektor i UP-së

"Çdo përvjetor si edhe ky 25-vjetori i protestës së studentëve të Universitetit të Prishtinës, na shtyn të reflektojmë, të kujtojmë njeriun i cili ishte pranë studentëve të UP-së. Prof.dr Ejup Statcovi ishte më shumë se rektor i UP-së. Padyshim se dhimbja për mungesën e tij është e madhe, jo vetëm të familjaret por te të gjithë ne që punuam së bashku. E nderojmë dhe e kujtojmë veprën e tij në shërbim të popullit, të universitetit të UP-së, i cili ishte sinonim i lirisë dhe i pavarësisë së Kosovës", tha ai.

Ishte Lëvizja Studentore e atëhershme që organizoi protestat të cilat u organizuan për ta kundërshtuar pushtimin e Kosovës nga Serbia dhe kthimin e studentëve në objektet universitare, nga të cilat studentët ishin dëbuar nga regjimi i kasapit Slobodan Millosheviqi në fillim të viteve ’90.

Përpos masave të dhunshëm që regjimi kishte vendosur vite më parë në universitet, dëboi studentë dhe profesorë nga universiteti dhe imponoi planprogramin serb për mësim. Kjo protestë konsiderohet si një ndër aktet më të rëndësishme të asaj kohe. Për ta shpërndarë protestën paqësore, policia serbe përdori dhunë ndaj studentëve dhe profesorëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat