Kryeministri Kurti takohet me përfaqësuesit shqiptarë e boshnjakë nga Serbia, kërkohet reciprocitet i të drejtave

Aktuale

Kryeministri Kurti takohet me përfaqësuesit shqiptarë e boshnjakë nga Serbia, kërkohet reciprocitet i të drejtave

Më: 4 shkurt 2023 Në ora: 15:45
Foto nga takimi

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me Ministrin e Kulturës, Hajrulla Çekun e Këshilltarën Politike, Ardita Sinanin, takuan përfaqësuesit politikë të komunitetit boshnjak e shqiptar që jetojnë në Serbi.

Pjesë e delegacionit ishin Sulejman Ugljanin, nga SDA Sanxhak, deputeti shqiptar në kuvendin e Serbisëm Shaip Kamberi, e dy deputetë tjerë, Enis Imamoviq e Selma Kuçeviq, ku e njoftuan Kurtin për brengat e problemet me të cilat ata po ballafaqohen.

Sipas njoftimit, me përfaqësuesit shqiptarë e boshnjakë u diskutua për elementet përbërëse të propozimit evropian për normalizimin e raporteve në mes Kosovës e Serbisë, ku i gjithë delegacioni kërkoi reciprocitet të të drejtave me serbët në Kosovë.

“Të drejtat e komuniteteve joshumicë në shtetet tona pasqyrojnë demokracinë dhe zhvillimin tonë si shoqëri. Për dallim nga Serbia që nga Freedom House klasifikohet si shtet me regjim hibrid, Republika e Kosovës është shtet demokratik me të drejta dhe liri për të gjithë, theksoi Kryeministri Kurti. Ai shtoi se komunitetet e ndryshme pa dallim duhet të trajtohen në kuadër të principeve universale e në harmoni të plotë me standardet e Bashkimit Evropian”.

“Tre deputetët në Kuvendin e Serbisë që pranojnë Kosovën e pavarur, Enis Imamovic, Selma Kucevic dhe Shaip Kamberi, së bashku me Dr. Sulejman Ugljanin, potencuan që janë të pakënaqur me statusin e boshnjakëve dhe shqiptarëve në përgjithësi e posaçërisht në komunat e Novi Pazarit, Tutinit e Sjenicës në Sanxhak si dhe të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në Luginë. Ata kërkuan reciprocitet të të drejtave me serbët në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Më tej, në njoftim thuhet se palët në takim u pajtuan për paqe të qëndrueshme dhe siguri në Ballkanin Perëndimor, ku duhet të ketë simetri të drejtash dhe jo qasje privilegjuese ndaj një pakice.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat