Paralajmëron sizmologu: Në Kosovë mund të pritet tërmet me magnitudë maksimale 6.5 shkallë

Aktuale

Paralajmëron sizmologu: Në Kosovë mund të pritet tërmet me magnitudë maksimale 6.5 shkallë

Më: 7 shkurt 2023 Në ora: 19:19
Ilustrim

Sizmologu, Shemsi Mustafa duke folur për tërmetet në Turqi që morën jetën e mijëra personave, ka thënë se shteti turk është në një zonë të rrezikshme sizmike ku janë të pritshme tërmetet e tilla.

“Bazuar në kontaktin e dy pllakave tektonike, të Afrikës dhe Euroazisë, nga presioni i madh në të kaluarën është nda një pjesë e kores së tokës dhe tash njihet si mikropllaka e Anadollit. Kjo mikropllakë ka një lëvizje në drejtim të perëndimit sepse në lindje është në formë të pykës që e ngushton kontakti i këtyre dy pllakave dhe është një lëvizje tektonike shumë e theksuar. Kjo është ndër zonat më të rrezikshme të aspektit sizmik në këtë zonë”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se nuk ka pajisje të saktë që mund t’i parashikojnë tërmetet, megjithëse janë disa kritere që përdoren për parashikim.

“Nuk ka as pajisje që të mund të parashikohen tërmetet në kohën e saktë, lokacionin dhe madhësinë e saktë. Por bëhet monitorimi me rrjete sizmike, përpilohen hartat e rrezikut sizmik dhe ashtu si e japin hartat, ne duhet t’i besojmë hartave. I tërë ndërtimi bëhet duke iu referuar hartave, në bazë të saj parashikohet se X zona mund të goditet me tërmet të fuqishëm”, ka thënë ai

Sipas Mustafës, aspekt shumë i rëndësishëm është mënyra se si projektohen ndërtesat në mënyrë që ato t’u bëjnë ballë tërmeteve.

“Në disa zona përreth ku goditi tërmeti ndërtesat që janë trajtuar në mënyrën më të mirë të mundshme e përballuan tërmetin. Kurse ndërtesat që fare nuk kanë aplikuar parametrat sipas standardeve evropiane apo nacionale u shkatërruan të tërat, duke krijuar një numër të madh të viktimave”, vlerësoi ai.

Sipas Mustafës, tërmeti më i fortë që mund të pritet në Kosovë është 6.5 shkallë të Rihterit, megjithatë shton se ndërtesat duhet të projektohen që t’i rezistojnë tërmetit 7.5 shkallë të Rihterit.

“Po kthehemi te zonat tjera, psh në Kosovë kjo varet nga harta e rrezikut sizmik, nga katalogu historik i tërmeteve që e kanë godit territorin e Kosovës, sepse ai katalog është parametri kryesor për përpilimin e hartave, pastaj është informacioni gjeologjik siç dihet ne kemi informacion nga mosha më e vjetër në moshën më të re”, ka thënë Mustafa.

“Kosova është zonë sizmike, por jo zonë shumë e lartë dhe në bazë të këtyre parametrave përpilohen harta të rrezikut sizmik në periudha përsëritëse për deri në 10 mijë vite. Në bazë të hartës së rrezikut sizmik, janë tri zona që janë me rrezik më të lartë në Kosovë, zona veriore, veriperëndimore dhe jugperëndimore dhe zona juglindore, mund të pritet një tërmet maksimal me magnitudë 6.5 shkallë të Rihterit. Projektuesit duhet të llogarisin një shkallë më lartë, pra me 7.5 për t’i bërë ballë tërmetit”, ka sqaruar Mustafa.

“Nuk duhet të injorohen edhe tërmetet që godasin në rajon, sepse një termet i fuqishëm nëse nuk është projektuar sipas standardeve evropiane apo nacionale mund të vjen deri te shkatërrimi i ndërtesës. Prandaj duhet pasur shumë kujdes gjatë projektimeve, është kriter që gjithherë duhet të mirren parasysh tre tërmetet më të fuqishme në atë zonë dhe kjo tregon që në kohën e fundit, brenda 5 viteve patëm disa ngjarjeve sizmike, si tërmeti në Shqipëri, Maqedoni e Kroaci”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat