Vdekja tragjike e kadetit të Policisë, dështon gjykimi për shkak të mungesës së të pandehurve

Aktuale

Vdekja tragjike e kadetit të Policisë, dështon gjykimi për shkak të mungesës së të pandehurve

Më: 20 mars 2023 Në ora: 13:00
Flordian Shabaj,

Më 21 nëntor të vitit 2022 ka vdekur tragjikisht në një aksident trafiku në fshatin Jashanicë të Klinës 30-vjeçari Flordian Shabaj, kadet në Policinë e Kosovës.

Për sot ishte caktuar të mbahej seanca fillestare ndaj Arton e Nezir Duraku (babë e djalë), i pari i akuzuar për “rrezikimi i trafikut publik” dhe “mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”, ndërsa i dyti për “mosdhënia e ndihmës”.

Por seanca ka dështuar në mungesë të të pandehurve, tha babai i Flordianit, Enver Shabaj.

“Seanca filloi në orën 10:00, në orën 10:25 përfundoi. Të pranishëm ishim prokurori, gjyqtari, unë, avokati im, avokatët e të pandehurve si dhe më shumë se 30 persona. Por seanca u shtye për arsye se munguan të pandehurit. Shërbimi Korrektues e ka marrë shkresën më 8 mars për t’i sjellë në seancë por nuk dihen arsyet pse nuk u sollën dhe seanca dështoi”, tha Shabaj.

Ai tha se seanca e radhës u caktua për datën 3 prill. Gjithashtu, kërkoi drejtësi për djalin e tij.

Gazeta ka publikuar aktakuzën në të cilën përshkruhen detaje tronditëse se si erdhi deri te vdekja e kadetit të policisë.

Sipas prokurorisë, në ditën kritike 21 vjeçari po drejtonte kamionin pa patentë shofer i cili ishte pa regjistrim dhe jo i rregullt teknikisht si dhe duke mos e përshtatur shpejtësinë  e lëvizjes me kushtet e rrugës e tejkalon atë nga 50km/h sa ishte e lejuar, në mbi 90km/h.

Në kamion në cilësinë e pasagjerit ishte edhe babai i tij, i cili sipas prokurorisë pas aksidentit kishte dalë nga kamioni së bashku me të birin duke iu afruar viktimës por “nuk i ofrojnë ndihmë dhe largohen nga vendi i ngjarjes, gjersa viktima ndërron jetë”.

55-vjeçari e kishte dëgjuar viktimën duke thënë “oj nonë”, në momentet e fundit të jetës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat