Presidentja Osmani në “Defender Europe ‘23”: Kjo stërvitje ndërkombëtare dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit me SHBA-të

Aktuale

Presidentja Osmani në “Defender Europe ‘23”: Kjo stërvitje ndërkombëtare dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit me SHBA-të

Më: 21 maj 2023 Në ora: 17:07
Vjosa Osmani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu ka marrë pjesë sot në ceremoninë e fillimit të stërvitjes së përbashkët shumëkombëshe “Defender Europe ‘23” të drejtuar nga Komanda e Ushtrisë së SHBA-së për Evropë dhe Afrikë, që u mbajt në Prishtinë, në të cilin morën pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë Jefrey Hovenier, ministri Armend Mehaj, ministri Xhelal Sveçla, Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe personalitete tjera.

Presidentja Osmani ka thënë se kjo stërvitje dëshmon guximin, përkushtimin dhe angazhimin e FSK-së.

“Ju jeni mishërim i trimërisë dhe përfaqësimit të idealeve më fisnike të shërbimit, sakrificës dhe solidaritetit. Ju jeni gardianë të paqes dhe sigurisë në një botë gjithnjë e më komplekse dhe në zhvillime gjithnjë e më sfiduese”, ka thënë Presidentja.

Tutje Presidentja ka thënë se në këtë stërvitje ndërkombëtare, ushtarët e Kosovës janë krahas ushtrive nga kombe të ndryshme dhe shtete të ndryshme.

"Ju qëndroni të bashkuar nën një kauzë të vetme, kauzës së përbashkët—për ta forcuar bashkëpunimin, për ta ndërtuar besimin dhe për ta rritur ndërveprimin midis forcave aleate. Ju jeni mishërimi i punës në grup, duke kapërcyer kufijtë dhe duke punuar së bashku drejt një qëllimi të përbashkët- sigurisë dhe mbrojtjes së vlerave tona”, ka theksuar Presidentja.

Sipas Presidentes Osmani, ky ushtrim ndërkombëtar është një simbol i vendosmërisë kolektive për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin në një botë që po sfidohet vazhdimisht.

"Forca jonë nuk qëndron vetëm në fuqinë e armëve tona, por në lidhjet që krijojmë, në aleancat që ne ndërtojmë dhe në vlerat e përbashkëta, të cilat çdo ditë po i kultivojmë", ka thënë ndër të tjera Presidentja Osmani.

Më tej, Presidentja Osmani ka theksuar se objektivi kryesor i “Defender 23”, është ta shfaqë aftësinë ushtarake dhe luftarake të ShBA-ve dhe forcave aleate, kundër agresorëve të mundshëm dhe për t`i siguruar aleatët dhe partnerët evropianë se kontinenti është i sigurt nga sulmet e mundshme.

Ky ushtrim është historik në shumë aspekte, ka thënë Presidentja, veçanërisht për ushtrinë më të re në kontinentin evropian, për Forcën tonë të Sigurisë.

“Pikërisht para dy viteve me sukses shumë të lartë realizuam së bashku Stërvitjen “Defender-Europe’21”, dhe vazhduam pa u ndalur në përgatitjet për stërvitjen e radhës, e cila po fillon sot me ceremoninë në sheshin Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, një ndër emrat më domethënës në historinë tonë. Skënderbeu është hero jo vetëm për Kosovën, por edhe për Evropën. Njihet si strategu dhe udhëheqësi ushtarak ndër më të mëdhenjtë në historinë e luftërave për mbrojtjen e atdheut dhe mbrojtjen e vlerave civilizuese që ndikuan fuqishëm edhe në mbrojtjen e Evropës kontinentit tonë në përgjithësi. Nga ana tjetër, ndodhet shtatorja e liderit historik, udhëheqësit tonë të lëvizjes për pavarësi, njëherit arkitektit të Republikës sonë, Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova, vizioni dhe ideali i të cilit, gjatë gjithë rrugëtimit të vështirë, ishte i mishëruar në vlerat properëndimore dhe euroatlantike”, ka thënë Presidentja Osmani.

E para e vendit, ka theksuar se “Defender 2023” përkon edhe me 24-vjetorin e çlirimit tonë, e cila sipas Presidentes, është ditë po aq e freskët sa kujtesa e ndërhyrjes ushtarake të SHBA-së me forcat e vendeve tjera aleate të NATO-s, kundër gjenocidit të Millosheviqit ndaj popullit të Kosovës. “Ne ishim viktima, kurse regjimi i Millosheviqit ishte agresori. E, lufta jonë ishte luftë për liri! Kjo është e vërteta e vetme, të cilën do ta mbrojmë çdo herë e kudo!”, ka theksuar Presidentja.

Sot teksa i shohim ushtarët e FSK-së të radhitur në këtë shesh, Presidentja Osmani ka thënë se dëshiron “të sjellë në vëmendjen e secilit edhe sakrificën e paraardhësve të tyre, vajzave e djemve të UÇK-së, të cilët e bën të mundshme lirinë tonë, mbrojtën dhe rikthyen dinjitetin tonë. Ata janë mishërimi i vetëmohimit, sakrificës dhe guximit. Të prirë nga komandanti legjendar, Adem Jashari, ata dhe mbi 3 mijë dëshmorë të UÇK-së janë personifikim i lirisë dhe i shtetit tonë. Prandaj, falënderim dhe mirënjohje e përjetshme për vajzat dhe djemtë e UÇK-së! Faleminderit edhe për burrat e gratë e popujve të aleancës së lirisë, aleancës së NATO-s dhe gjithë ushtarëve të ShBA-ve për sakrificën në përkrahje të përpjekjeve tona për liri dhe pavarësi!”.

Presidentja Osmani më tej ka thënë se rruga jonë përpara është e pandalshme e ne jemi të vendosur fuqishëm në konsolidimin dhe forcimin e institucioneve demokratike të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit si faktorë jetik në fuqizimin e sistemit të sigurisë dhe të mbrojtjes në vendin tonë.

Sipas Presidentes Osmani, krahas stërvitjes “Defender-Europe’23”, kjo shtron edhe nevojën e krijimit të përbashkët të frontit politik, sikurse edhe atij të sigurisë e të mbrojtjes, duke filluar me Kartën e Adriatikut, SHBA- A5, ku është e domosdoshme të ecet përpara me anëtarësimin e Kosovës, pastaj me hyrjen e Republikës sonë në Programin e Partneritetit për Paqe, e deri tek anëtarësimi në NATO.

Tutje, Presidentja ka thënë se kjo stërvitje ndërkombëtare është dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit dhe tregues i aleancës së fuqishme me SHBA-të.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat