Protestuesve në Zveçan u kërkohet të shpërndahen

Aktuale

Protestuesve në Zveçan u kërkohet të shpërndahen

Më: 30 maj 2023 Në ora: 15:11
Protestuesit në Zveçan më 30 maj 2023.

Ish-kryetari i Kuvendit Komunal të Zveçanit, Sërgjan Millosavleviq, u tha serbëve të tubuar para ndërtesës së komunës, që të shpërndahen rreth orës 16:00. Ai i ftoi serbët që të dalin në një protestë paqësore të mërkurën.

Millosavleviq tha se serbët në veri të Kosovës do të protestojnë deri sa të plotësohen kërkesat e tyre: tërheqja e njësive speciale të Kosovës dhe që kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut të mos lejohen të hyjnë në ndërtesat komunale.

Për t'u informuar lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, përcillni blogun e Radios Evropa e Lirë

Për të dytën ditë me radhë, serbët në komunat në veri të Kosovës kanë protestuar. Më 29 maj, në Zveçan ata u përleshën me trupat paqeruajtëse të KFOR-it. Nga përleshjet u lënduan 30 ushtarë të KFOR-it dhe u raportua për dhjetëra të lënduar nga ana e protestuesve.

Autoritetet kanë arrestuar pesë të dyshuar për dhunën në Zveçan.

Që nga 26 maji, në veri të Kosovës janë rritur tensionet, pasi po atë ditë, krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut u futën në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Bashkësia ndërkombëtare ka dënuar ashpër “hyrjen me forcë” të krerëve të rinj komunalë dhe ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës të shtensionojnë menjëherë situatën.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, më 30 maj kërkoi nga Kosova që të pezullojë operacionet policore rreth ndërtesave komunale në veri, në mënyrë që, sipas tij, të ulen tensionet në këtë pjesë.

Paraprakisht, Qeveria e Kosovë ka mbrojtur vendimin e saj për të çuar kryetarët e rinj në ndërtesat komunale, teksa për dhunën në Zveçan ka fajësuar Beogradin për “dirigjim të turmës ekstremiste”./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat