Hyseni jep detaje nga prishja e koalicionit LVV – PDK në Gjilan

Aktuale

Hyseni jep detaje nga prishja e koalicionit LVV – PDK në Gjilan

Më: 8 qershor 2023 Në ora: 21:31
Alban Hyseni

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni ka dhënë detaje mbi prishjen e koalicionit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës në komunën që ai udhëheq.

Sipas tij, janë tri vendime të kundërligjshme, të cilat LVV-ja ka kërkuar t’i shfuqizojë, por që PDK-ja ka kërkuar që këto vendime të shtyhen për një seancë tjetër, ndonëse siç thotë ai, të njëjtat tash e një vit janë diskutuar në mbledhjet e përbashkëta në Bordin e drejtorëve.

“Ajo çfarë ne kemi kërkuar ka qenë shfuqizimi i këtyre vendimeve. Diskutim i joni i brendshëm mes nesh si VV, por edhe PDK-së, pra në bordin e drejtorëve me mbledhjet tona të përbashkëta, me asamblistë të kuvendit komunal të dy subjekte tona, por edhe të tjerëve që i kemi pasë koalicion, kanë qenë këto vendime tash e një vit. Ndërkohë derisa ne kemi siguruar mënyrën, rrugën dhe metodën më të mirë për të shfuqizuar ka marrë kohë, ndërsa fillimi i këtij viti na ka gjetur me planifkimin tonë të përbashkët të aprovuar nga të gjithë (bashkë me PDK)…këto kanë qenë pra qysh para prej muajit janar përbrenda nesh, të ditura qe do të vijnë në kuvendin komunal”, deklaroi ai.

Ai bëri të ditur se kryesuesi i asamblistëve të PDK-së nuk i ka dhënë ndonjë arsye për shtyrjen e seancës, dhe kjo sipas tij, “ka qenë më e çuditshmja”.

“Deri në ditën e enjte të seancës, muajit të kaluar, kur edhe kemi pasë fillimin e seancës, nuk ka pasur asnjëherë anjë reagim nga partneri jonë i qeverisjes…se këto vendime nuk duhet të shfuqizohen ose që kanë nevojë për konsultime shtesë, ose që janë të diskutueshme ose diçka tjetër… të premten kur kemi filluar seancën, unë kam marrë një kërkesë nga ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së në Gjilan…që të takoj kryesuesin e asamblistëve të PDK-së, e të diskutoj me të për një çështje, dhe ai më ka kërku që këto vendime të shtyhen për një seancë tjetër. Unë i kam kërku që të dimë arsyen pse t’i shtyjmë, sepse jemi pajtuar edhe ai edhe unë që janë të kundërligjshme dhe kam kërku të di një arsye të qëndrueshme se pse duhet t’i shtyej. Nuk ka pasë ndonjë arsye të qëndrueshme…nuk ka pasur asnjë arsye, kjo ka qenë më e çuditshmja”, shtoi ai.

I pari i Gjilanit potencoi se vendimi i parë i kundërligjshëm është i datës 30.06.2020 dhe thotë “vendim për plotësimin dhe ndryshimin e kushteve ndërtimore në një nënzonë të bllokut B3 në kuadër të planit rregullues urban Kodra e Thatë në Gjilan”.

Më 31 maj, qeverisja e përbashkët LVV – PDK në Gjilan ka marrë fund, ku siç ka thënë Hyseni “vendimet e konstatuara si të kundërligjshme, si dhe që favorizojnë individë e grupe të interesit janë tema që nuk diskutohen, por anulohen, pa alternativë!”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat