Rrustemi: S’na frikësojnë kërcënimet e Vuçiqit, por duhet t’i marrim seriozisht

Aktuale

Rrustemi: S’na frikësojnë kërcënimet e Vuçiqit, por duhet t’i marrim seriozisht

Më: 22 mars 2024 Në ora: 00:13
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi duke komentuar deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se s’ka vend për frikë, por që ato duhet të merren seriozisht.

Sipas Rrustemit, është e nevojshme që NATO dhe KFOR-i ta shtojnë prezencën e tyre në Kosovë.

Ndërkohë,  ai ka vlerësuar se Kosova duhet të rris kapacitetet e sigurisë.

“Është për ta vlerësuar deklaratën e ambasadorit amerikan, por mbi të gjitha është e nevojshme që NATO dhe KFOR-i të shtojnë prezencën e tyre në Kosovë. Është e nevojshme për neve si shtet që të rrisim kapacitetet tona të sigurisë. Nuk na frikësojnë kërcënimet dhe deklaratat e Aleksandër Vuçiqit, por pa dyshim që duhet t’i marrim seriozisht, edhe partnerët tanë ndërkombëtarë por edhe vet shteti i Kosovës”, është shprehur ai në emisionin “Info Nata”.

Për Rrustemin, deklaratat e Vuçiq janë shprehje e qartë e kërcënimit të Serbisë ndaj Kosovës, e cila në vazhdimësi ka ndjekur politikën destabilizuese.

“Deklaratat e fundit ishin shprehje e qartë e kërcënimit të Serbisë për Kosovën. Natyrisht që ishin vazhdimësi e politikës destabilizuese që Serbia ka ndjekur ndaj Kosovës e rajonit, kjo gjithmonë është në linjë më politikën e jashtme të Federatës Ruse. Serbia nuk është shkëputur asnjëherë, përkundrazi ka thelluar raportet e diplomacisë e sigurisë e mbrojtjes duke u furnizuar me armatim nga Rusia e Kina”, ka shtuar ai.

Kujtojmë që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq së fundmi ka bërë disa deklarata kërcënuese ku tha se Perëndimi duhet të zgjedhë mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse ata zgjedhin Kosovën, Vuçiq ka thënë se “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe ne do ta shfrytëzojmë mundësinë tonë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat