Ejup Maqedonci tregon kur arrijnë “Javelinët” në Kosovë

Aktuale

Ejup Maqedonci tregon kur arrijnë “Javelinët” në Kosovë

Më: 27 mars 2024 Në ora: 22:10
Ejup Maqedonci

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se Kosova është në procesin e pagesave për blerjen e sistemeve raketore Javelin, duke theksuar se kjo është vetëm një nga shumë sistemet që janë pjesë e arsenalit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

“Jemi në fazën e ekzekutimit të pagesave për blerjen e sistemev Javelin, dhe besoj që pas diskutimeve që do t’i kemi të mëtejshme me strukturat shtetërore dhe kompaninë që prodhon Javelin ne do të kemi një informacion më të detajuar për kohën e arritjes së këtyre sistemeve në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar ministri Maqedonci.

“Javelin”, a është i vetmi sistem raketor që ka Kosova?

Ministri Maqedonci gjithashtu ka theksuar se Kosova ka prokuruar edhe sisteme të tjera raketore anti-tank, duke përfshirë sistemin “OMTAS” nga Turqia.

“Jo, ne i kemi blerë edhe më herët dhe i kemi ekspozuar disa sisteme të tilla, një ndër to ka qenë sistemi “OMTAS” që është i përafërt me Javelin dhe që prodhohet në Republikën e Turqisë këtë sistem e keni qe dy vite në inventarin e FSK-së, po gjithashtu kemi edhe sisteme të tjera anti-tank që i kemi prokuruar dhe që janë pjesë e sistemeve të FSK-së”, ka thënë Maqedonci.

Për sa i përket kapacitetit ajror, Ministri Maqedonci ka thënë se Kosova ka të mjaftueshëm dronë tipi Bayraktar për të përmbushur nevojat e FSK-së, duke përfshirë nevojat për vëzhgim dhe mbështetje ushtarake.

“Besoj që nuk është e rëndësishme se sa është numri i tyre, por e rëndësishëm është çështja se këta dronë përmbushin gjitha nevojat që ka FSK-ja për këtë kapacitet ajror që nuk është vetëm për vëzhgim por edhe për mbështetje ushtarake”, ka deklaruar ai.

A është dikush që refuzon t’i shesë armë Kosovës për shkak të procesit të dialogut?

Gjithashtu, ai ka thënë se ka interes nga vende të ndryshme për t’i shitur armë Kosovës dhe se FSK-ja ka një gamë të gjerë armatimi, duke përfshirë snajperët dhe mitralozët.

“Jo aspak përkundrazi kemi shtim të kërkesave nga vendet e ndryshme për t’i shitur armë Kosovës…Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), i përmban të gjitha armët, si snajperët apo mitralozët”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat