Berisha: Krerët e shtetit e pranuan Asociacionin me letrën dërguar Bakoyannis

Aktuale

Berisha: Krerët e shtetit e pranuan Asociacionin me letrën dërguar Bakoyannis

Më: 28 mars 2024 Në ora: 00:09
Hisen Berisha

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ka komentuar letrën ku krerët institucional të Kosovës, janë zotuar se do ta zbatojnë themelimin e Asociacionit.

Berisha tha se zotimi për themelimin e Asociacionit, është pasojë e marrëveshjeve të mëhershme, nga ajo e Brukselit dhe Ohrit.

“Zotimi për themelimin e Asociacionit është pasojë e marrëveshjeve më të hershme që janë bërë. Gjithmonë si etapë është viti 2023, nga zotimet që janë marrë në marrëveshjen e 27 shkurtit dhe në aneksin e Ohrit për zbatim”, deklaroi Berisha.

I pyetur se a e ka pranuar Qeveria Kurti themelimin e Asociacionit, deputeti u shpreh i bindur se në tetor të vitit të kaluar, kryeministri e ka pranuar një gjë të tillë.

“Në tetor 2023, Qeveria saktë e ka pranuar bërjen e Asociacionit. Më vonë e pranuan statutin dhe tani së fundi e pranuan me tre nënshkrime. Kurti e ka pranuar Asociacionin, nëse Kurti flet shqip dhe unë e kuptoj gjuhën shqipe, në tetor të vitit të kaluar e ka pranuar. Me institucionet evropiane s’mund të bëjnë hajgare”, potencoi tutje Berisha.

Kujtojmë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, nga ndërkombëtarët kërkohet të kushtëzohet edhe me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Të shtunën, krerët e tri institucioneve të Kosovës, Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Glauk Konjufca kanë nisur një letër në drejtim të Bakojanis ku zotohen se do të zbatojnë të gjitha zotimet pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat