Ish-pjesëtari i UÇK-së i del në mbrojtje aktorit Petrovci: Ky ishte thelbi i deklaratës së tij

Aktuale

Ish-pjesëtari i UÇK-së i del në mbrojtje aktorit Petrovci: Ky ishte thelbi i deklaratës së tij

Nga: A.SH Më: 28 mars 2024 Në ora: 07:01
Enver Petrovci

Një deklaratë e aktorit Enver Petrovci ka bërë bujë në media.

Pas kësaj, ka reaguar edhe ish0ushtari i UÇK-së, Liri Loshi.

Ai ka thënë se Petrovci nuk fyeu askënd, sepse deklarata e tij ishte që “komandantët e luftës kanë hyrë në politikë për shkak të meritave të luftës dhe jo për shkak të ndonjë përgatitje paraprake shkollore, apo teorike për politikë”.

“Pse pra, e tërë kjo fushatë kundër një njeriu që ka kontribuar aq shumë për popullin e tij?! Unë besoj se gabimi që nuk i falet Enver Petrovcit, nuk është ai që po pretendohet, pra se ai gjoja e fyu UÇK-në! Jo, Enveri bëri një "shkarje" tjetër kapitale që nuk i falet. Ai lëvdoi Albinin dhe Vjosën. Ky gabim nuk më është falur as mua, as nuk i falet askujt nga ata që pretendojnë autorësinë e çlirimit dhe pronësinë e lirisë!”, shkruan ai.

Postimi i plotë:

ENVER, ENVER, NUK I HODHE PASULIT BIBËR!

Albini dhe Vjosa e kanë përgatitë veten për politikë, kurse komandantët e luftës kanë hyrë në politikë për shkak të meritave të luftës dhe jo për shkak të ndonjë përgatitje paraprake shkollore, apo teorike për politikë.

Ky ishte thelbi i deklaratës së Enver Petrovcit. Çfarë ka fyese këtu?! Unë, për shembull, si ish pjesëtar i UÇK-së, nuk u ndjeva i ofenduar. Ai nuk tha asgjë për ushtarët e lirisë, sepse ata nuk janë në politikë. Ai madje, në deklaratën e tij, nuk i përfshiu as ish komandantët e zakonshëm, sepse është fare i vogël numri i atyre komandantëve që u morën me politikë pas lufte. Komenti i Petrovcit iu referua vetëm një grupi të vogël njerëzish që në fakt nuk e përfaqësojnë UÇK-në. Është gabim i madh që UÇK-ja të identifikohet me një grusht njerëzish që nuk kanë lënë gjë pa çkrry që njëzet e kusur vjet në emër të kontributit të tyre për liri.

Nëse Enver Peteovci e do Beogradin, siç po akuzohet, është e drejtë e tij me e dashtë, sepse aty ai ka studjuar dhe është formuar si aktor. Nuk e besoj se ai e arsyeton, apo se e përkrahë në çfarëdo forme politikën fashizoide serbe kundër shqiptarëve.

A mund të urrejmë ne deri në atë masë sa edhe bukuritë natyrore, si bashkimi i Savës me Danubin, për shembull, t'i vlerësojmë si shemti për syrin tonë?! Patjetër se ka plot gjera nga Beogradi që do t'i kenë lënë mbresa të paharrueshe aktorit Petrovci dhe kjo ndjenjë duhet të çmohet e respektohrt dhe jo të gjykohet.

Për mendimin tim, Enver Petrovci është jo vetëm aktor i madh, por edhe njeri i madh. Ai, edhe pse pati karrierë të sigurtë në Beograd, u kthye në Kosovë për ta ndihmuar vendin e tij me tërë dijen, përvojën dhe ekspërtizën e tij në fushën teatrit dhe filmit. Me dhjetra aktorë i kam dëgjuar duke ia atribuar pikërisht profesorit Enver tërë suksesin e tyre. Dhe, njëmend, Kosova sot ka dhjetra aktorë të mrekullueshëm mu për shkak të punës vetmohuese të Enver Petrovcit me studentët e tij.

Pse pra, e tërë kjo fushatë kundër një njeriu që ka kontribuar aq shumë për popullin e tij?! Unë besoj se gabimi që nuk i falet Enver Petrovcit, nuk është ai që po pretendohet, pra se ai gjoja e fyu UÇK-në! Jo, Enveri bëri një "shkarje" tjetër kapitale që nuk i falet. Ai lëvdoi Albinin dhe Vjosën. Ky gabim nuk më është falur as mua, as nuk i falet askujt nga ata që pretendojnë autorësinë e çlirimit dhe pronësinë e lirisë!

Enver, Enver! Ti nuk i hodhe pasulit bibër!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat