Kontratat njëburimore, LDK kërkon reagimin e Prokurorisë Speciale - PDK propozoi datën e zgjedhjeve të parakohshme, reagon Konjufca

Aktuale

Kontratat njëburimore, LDK kërkon reagimin e Prokurorisë Speciale - PDK propozoi datën e zgjedhjeve të parakohshme, reagon Konjufca

Më: 28 mars 2024 Në ora: 07:31 Përditësuar në ora: 13:30 më 28.03.2024
Kuvendi i Kosovës

​Kontratat njëburimore, Abdixhiku kërkon reagimin e Prokurorisë Speciale

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar nga Prokuroria Speciale të reagojë në lidhje me kontratat njëburimore të Qeverisë Kurti.

Abdixhiku në seancën e Kuvendit, ka thënë se praktika e tenderëve siç i quajti ai “sekret” janë të dëmshme për vendin.

Abdixhiku: Kjo praktikë ka një emër, dhe i thonë tender sekret

“Kjo praktikë ka një emër, dhe i thonë tender sekret. Tenderët sekret janë shpërndarje e pares së shtetit, prej buxhetit te operatorët, bizneset, pa asnjë procedurë, garë, drejt për së drejti marrëveshje direkte. Kjo praktikë në tre vite është bërë besoni ose jo 781 herë. Shtetin e Kosovës 781 tenderë sekret janë dhënë për tre vjet dhe vlera e tyre është 209 milionë euro”, tha ai.

Ai theksoi se mosveprimi i Prokurorisë Speciale është aprovim i praktikës së tenderëve njëburimor.

Abdixhiku: Prokuroria Speciale duhet të bëjë punën e vet

“Në MPB 15 milionë euro për shërbime të IT-së e tani këtu bëhet e çuditshme dhe evidente, kur procedura ka qenë e hapur kur ka pasë garë kanë konkurruar kompani, çmimi përfundimtar ka qenë 9.5 milionë euro kanë ardhur në pushtet kanë mbyllur tenderë, janë ulur kanë bërë negociim dhe është nënshkruar marrëveshja drejtpërdrejtë, pa procedurë, 15 milionë euro. Prokuroria Speciale duhet të bëjë punën e vet, këtë listë e ka, jemi të gatshëm të jemi dëshmitarë e dorëzues te secili tender veç e veç, siç e kemi marrë. Mosveprimi i Prokurorisë Speciale është aprovim i kësaj praktike”, tha Abdixhiku.

PDK propozon datën e zgjedhjeve të parakohshme

Partia Demokratike e Kosovës tanimë ka propozuar 9 Qershorin, si datë për zgjedhje të parakohshme në vend.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri gjatë seancën së jashtëzakonshme, ku po diskutohet për kontratat njëburimore, ka thënë se mazhoranca le të dal me fytyrë për themelimin e këtij komisioni, pasi nuk mund ta anashkalojnë sepse nëse nuk themelohet tash, do të themelohet në legjislaturën tjetër.

Tahiri: PDK tashmë e ka propozuar një datë për zgjedhje

“PDK tashmë e ka propozuar një datë për zgjedhje dhe ajo është 9 Qershor, mirëpo, por duke pas parasysh jo sinqeritetin e tyre dhe frikën për me shkuar zgjedhje, ne e dimë që ajo ka qenë një lojë fjalësh se këta nuk guxojnë të shkojmë në zgjedhje më 9 qershor, prandaj duke pas parasysh që këta janë të luhatshëm ne duam ta shfrytëzojmë këtë periudhë dhe deri në ditën e fundit ta kryejmë mandatin si deputet , me themeluar këtë komision, nëse zgjedhjet na lënë në gjysmë, atëherë e vazhdon punën legjislatura e tjetër”, tha ai.

Kurse, për kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, duket që më e preferuar është vjeshta për të shkuar në zgjedhje.

Konjufca: Më e preferuar është vjeshta për të shkuar në zgjedhje është vjeshta

“Nëse themelohet deri më 28 shtator e ka afatin, kështu që brenda mandatit zgjedhor është, 6 muaj mandat”, tha ai.

Nuk ka kuorum për votimin e Komisionit Hetimor për kontrata njëburimore gjatë Qeverisë Kurti

Kuvendi i Kosovës nuk pati kuorum për të votuar themelimin e Komisionit Hetimor për kontratat njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti.

Kryekuvendari Glauk Konjufca bëri të ditur se nga 63 deputetë sa ishin të pranishëm në sallën në votim morën pjesë vetëm 26.

Sipas tij, shifra e deputetëve që morën pjesë në votim e pamundëson formimin e këtij komisioni.

Nga Lëvizja Vetëvendosje nuk propozuan emrat e pjesëmarrësve për këtë komision, ndërsa nga opozita i propozuan. 

Zemaj flet për hajninë me ilaçe: Keni me dalë para ligjit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka mbajtur një fjalim në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Ai ka folur për disa dallavere me tenderë për ilaçe. Sipas tij, posa e dërgoi kërkesën, filloi të pranonte telefonata nga disa ndërmjetësues.

Zemaj i ka quajtur të poshtër ata që manipulojnë me tenderë të barnave.

“O njerëz të poshtër, mos më çoni mesazhe. Keni me dalë para ligjit. Qofshi në partinë time, apo partitë e tjera. Keni vjedhë me barna, do të dilni para drejtësisë”, tha ai.

 

Aliu: Është një kontratë një-burimore, nuk e kam problem hetimin

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu deklaroi se është vetëm një kontratë një-burimore e nënshkruar dhe se nuk e ka problem hetimin. Për këtë reagoi deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e cila tha se për negocim janë zgjedhur kompanitë që ministria i njeh.

Në seancë të jashtëzakonshme ku po debatohet për kontratat një-burimore, ministri Aliu ka mohuar që janë 56 kontrata një-burimore të nënshkruara nga kjo ministri.

Aliu: I përmendët 56 kontrata, është vetëm një-kontratë burimore

“Ju i përmendet 56 kontrata një-burimore, një kontratë një-burimore është, 56 janë aneks kontrata për të njëjtën që shefi i GP të PDK-së e ngriti çështjen. Qysh është e mundur sa është saktë vlera e parashikuar me dalë edhe kontrata. Nuk është e mundur kjo. Kjo nuk është e mundur nëse ka prokurim, pa luajt pak nuk bëhet. Kemi të bëjmë me punë shtesë, aneks kontrata është aneks-kontratë për punë shtesë. Momentin që parashikohet puna shtesë është brenda kontratës bazë, aneks-kontratë do ta ketë që në start vlerën e qartë që nga fillimi dhe parashihet me kohë. Vetëm ky fakti që ju e përmendët është fakt në anën time, kemi të bëjmë me aneks-kontrata”, deklaroi Aliu.

Në seancë të jashtëzakonshme për kontratat një-burimore, Aliu tha para deputetëve se nuk e ka problem hetimin.

Aliu: Unë nuk e kam problem hetimin

“Unë nuk e kam problem hetimin, kjo çështje është hetuar madje bukur thellë. Çështjet në fushën e ndërtimit nuk ka mundësi të mos ketë punë shtesë, mund të ketë pak punë shtesë. Sa më i mirë të jetë projekti, sa më i hollësishëm të jetë dhe sa më i punuar mirë me studime të mirëfillta paraprake, ka më pak punë shtesë”, shtoi Aliu.

Për këtë ka replikuar deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami e cila tha se është shkelur ligji kur për negocim, pasi janë ftuar vetëm dy operatorë ekonomik.

Bajrami: I ke zgjedhur për negocim kompanitë që ju i njihni

“Ministër, janë kontrata të negociuara, nëse nuk janë një-burimore janë të negociuara. Ka mundësi që ju nuk e keni ftuar një operator ekonomik për të negociuar, i keni thirr dy apo tre, por nuk ke bërë shpallje të tenderit që nënkupton në mesin e qindrave ose dhjetëra operatorëve i ke zgjedhur dy me negociuar. Qysh i ke zgjedhur, i ke zgjedhur kompanitë të cilat ju i njihni, për të cilat ju keni punuar apo anëtarët e kabinetit që për çudi, në kabinetin tuaj të aprovuar janë 27, jashtë rregullores që është për qeverinë dhe administratën e qeverisë. Nuk e di se qysh ju ndjeheni”, reagoi deputetja e LDK-së. 

​Tahiri: Qeveria duhej të shkarkohej pas arrestimit të kryeshefit të KRU “Gjakova”

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri deklaroi se qeveria do të duhej të shkonte në shtëpi, ditën kur është arrestuar kryeshefi i KRU “Gjakova”. Sipas tij, ky është rasti më eklatant dhe i tmerrshëm.

Në seancë të jashtëzakonshme ku po debatohet lidhur me kontratat një-burimore, Tahiri u shpreh se gjatë Qeverisë Kurti janë arrestuar tre kryeshefa të ndërmarrjeve publike.

Tahiri: Ministres Rizvanolli i janë arrestuar tre kryeshefa të ndërmarrjeve publike

“Qysh është e mundshme një ministër, si Ministrja Rizavanolli i arrestohen tre kryeshefat të ndërmarrjeve publike? Njëri prej tyre për kontrata njëburimore, pra Nagip Krasniqi, pastaj kryeshefi i Ibër-Lepencit, Faruk Mujku dhe pastaj e kemi edhe kryeshefin e KRU “Gjakova” që është rasti më eklatant, rasti më i tmerrshëm që na ekstradohet një zyrtar i shtetit të Kosovës në Itali. Dëgjoni, për këtë të fundit në një shtet normal, qeveria duhet me shku në shtëpi, jo ministrja. Me t’u arrestu zyrtari i shtetit që e ke zgjedh në një shtet tjerët, me t’u ekstradu në Itali, mu marre më vike edhe me fol, për këtë çështje. Marre më vike edhe me e ngrit këtë çështje. Me t’u ekstradu në një vend tjetër edhe me vazhdu krejt normal një qeveri punën, a e dini more se çfarë skandali është ky? A e dini si e humb kredibilitetin, legjitimitetin? Qysh mundesh me nejt mos me t’u dridh qerpiku me pas komoditetin me të ardh në seancë, me i mbrojt politikat e qeverisë tu ka ekstraduar zyrtari? Po kjo është çmenduri bre”, deklaroi ai në seancë të jashtëzakonshme.

Ai shtoi se ky është skandal ndërkombëtar, meqë i njëjti është arrestuar për shkak të trafikimit me qenie njerëzore. 

Haki Abazi e akuzon Liburn Aliu për korrupsion

Deputeti i Pavarur në Kuvendin e Kosovës, Haki Abazi, e ka akuzuar ministrin e Ambientit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu për siç ka thënë ai, korrupsion të pastër.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po flitet për kontratat njëburimore, Abazi ka thënë se ministri Aliu e ka legalizuar krimin e mafisë ndërtimore me këto lloj të kontratave.

“Si në rastin e ligjit për legalizimin e ndërtesave pa leje, ku është korrupsion i lartë, e që për konsekuencë e për pasojë ka ngarkesën e të gjithë barrës financiare mbi qytetarin te ministria e zotit Liburn, që është i ulur këtu.

Është korrupsion i pastër, është korrupsion që legalizon kriminalitetin e mafisë ndërtimore në Kosovë për 20 vite”, është shprehur Abazi.

“Dimal Basha, ulu!”, Konjufca i reagon deputetit të Vetëvendosjes që e pengoi deputeten e LDK-së në foltore

“Dimal Basha, ulu!”, Konjufca i reagon deputetit të Vetëvendosjes që e pengoi deputeten e LDK-së në foltore

Derisa në foltoren e Kuvendit të Kosovës po fliste deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, për themelimin e një komisioni hetimor për kontratat njëburimore, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i ka kërkuar deputetit nga partia e tij, Dimal Bashës, që të mos e pengojë atë.

“Dimal Basha, a ka mundësi mos me pengu deputeten. Ulu!”, i kërkoi Konjufca.

Për reagimet nga ulëset të deputetëve të pozitës më pas u ankua edhe bashkëpartiaku i Kica-Xhelilit, Driton Selmanaj.

“Njerëzit ndoshta jashtë nuk munden me e dëgju, pro është një kakofoni e tmerrshme këtu brenda dhe fyerje personale. Prandaj, unë ju sugjeroj të respektoni rregulloren dhe njerëzit që shkaktojnë probleme të mbarëvajtes të largohen nga seanca”, tha Selmanaj.

Ndërkaq, kryetari Konjufca tha se ata që kundërshtojnë derisa kolegët e tyre flasin ta marrin fjalën pas dhe të zhvillojnë parlamentarizëm në mënyrën e duhur.

“Unë s’e kuptoj pse s’e këta që e gjuajnë fjalë dhe e pengojnë deputeten nuk e marrin tash të drejtën e fjalës. Kjo është mënyra qysh zhvillohet parlamentarizmi. Parlamentarizmi është që e dëgjon kolegun duke folur dhe më pas e merr fjalën dhe i zhvillon argumentet tua. Jo kështu me e pengu përmes zhurmës. Nuk është në rregull për besë”.

Mustafa: Kuvendi nuk ka çare pa e themelua një komision hetimor

Kuvendi i Kosovës është mbledhur në seancë të jashtëzakonshme për të shqyrtuar kërkesën e opozitës për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimit të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, në ministri dhe ndërmarrje publike.

Deputeti i Lidhjes Demokratike ë Kosovës, Besian Mustafa, në seancën e sotme të jashtëzakonshme tha se në Ministrinë e Ekonomisë duke përfshirë edhe ndërmarrjet publike që i raportojnë prej vitit 2021 janë 151 kontrata njëburimore të negociuara në katër sy. 151 kontrata me vlerë 124 milionë euro.

"Adnan dhe LVV keni harru se kryeshefi që e keni emëruar ju në KEK është arrestuar për shkak të tenderave njëburimor. Mos na tregoi përralla. Në Ministrinë e Ekonomisë duke përfshirë edhe ndërmarrjet publike që i raportojnë prej vitit 2021 janë 151 kontrata njëburimore të negociuara në katër sy. 151 kontrata me vlerë 124 milionë euro. Ministria e Ambientit ka 69 kontrata të negociuara.  Në përgjithësi në nivelin qendror është vetëm një kompani që siguron objekte, vetëm një. Janë mbi 9 milionë euro kontrata për të ruajtur ndërtesa. Ka kontrata për të marrë vetura me qera, 4 kontrata janë në vlerë mbi 400 mijë euro. O sot ose nesër, qare nuk a ka ky Kuvend pa e themeluar një komision hetimor për t'i hulumtuar këto kontrata", tha deputeti i LDK-së, Besian Mustafa.

Kurse tha shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se qeveri ka kontraktuar 781 tenderë njëburimor, të cilët janë burim i korrupsionit.

"Ka një frikë të kësaj qeverie për hetimin e tenderëve njëburimore. Një qeveri ka kontraktuar 781 tenderë njëburimor, të cilët janë burim i korrupsionit, burim i keqpërdorimit dhe e ngulfat konkurrueshmërinë", tha shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Rrustemi i VV-së “radhit” kontratat njëburimore të nënshkruara gjatë qeverive të kaluara

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, gjatë seancës së jashtëzakonshme që po mbahet në Kuvend ku po flitet për kontratat njëburimore për të cilat po akuzohet qeveria aktuale nga opozita, deklaroi se “nga viti 2008-2014, qeveri e udhëhequr nga PDK-ja, 448 milionë euro ka qenë shuma e shpenzuar në kontrata njëburimore. Nga viti 2015-2017, qeveri e udhëhequr nga LDK-ja, 158 milionë euro ka qenë shuma e shpenzuar në kontrata njëburimore. Nga viti 2018-2019, qeveri e udhëhequr nga AAK-ja, ka qenë 120 milionë euro shuma e shpenzuar në kontrata njëburimore”.

Para deputetëve, gjatë fjalimit të tij ai potencoi edhe se viti 2008 është viti me më së shumti kontrata njëburimore, me shumën gjithsej 164 milionë euro.

“Ju keni thënë që kontratat njëburimore mund të bëhen vetëm në raste të jashtëzakonshme. Çfarë tërmete e situata të jashtëzakonshme ka pasur në vitet që ju keni qeverisur?”.

“Këta i shohin me llupë institucionet që nuk qeverisin, dhe mbyllin sytë në komunat që qeverisin”, deklaroi Rrustemi, duke iu drejtuar opozitës me fjalët “ka ikur koha juaj, në Qeverinë Kurti nuk ka korrupsion dhe ministra të korruptuar, ka përgjegjësi dhe transparencë dhe kështu do të vazhdohet deri në realizimin e të gjitha zotimeve tona që i kemi dhënë para qytetarëve”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat