125 hektarët e pronës shoqërore në shfrytëzim nga gjenerali Brahimaj përplasin ashpër Mujën e Tahirin

Aktuale

125 hektarët e pronës shoqërore në shfrytëzim nga gjenerali Brahimaj përplasin ashpër Mujën e Tahirin

Më: 28 mars 2024 Në ora: 16:28
Besnik Tahiri, Armend Muja dhe Lahi Brahimaj

125 hektarë tokë të ndërmarrjes shoqërore Ereniku në Gjakovë, të cilat i shfrytëzon me qera ish-gjenerali i UÇK-së, Lahi Brahimaj, i kanë përplasur ashpër dy deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Armend Muja, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, e ka prezantuar sot raportin e auditimit të performancës për të hyrat e qerasë së AKP-së për periudhën 2012-2021 dhe ka përmendur disa nga të gjeturat. Njëra prej të gjeturave, të cilat i prezantoi deputeti Muja, ndërlidhet me një kontratë për shfrytëzim të tokës të lidhur mes Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe Lahi Brahimajt.

“125 hektarë të Erenikut në Gjakovë iu kanë dhënë një subjekti, Lahi Brahimaj, për diku 5 mijë euro në vit. Lahi nuk e paguan qeranë, por Agjencia Kosovare e Privatizimit ia vazhdon kontratën”, tha Muja.

Duke folur për të gjeturat e përgjithshme të raportit, Muja tha se ato tregojnë për njerëz të lidhur me Partinë Demokratike të Kosovës, të cilët kanë qenë zyrtar të AKP-së dhe të njëjtit “u kanë dhënë prona njerëzve të fortë të biznesit”.

“Tash, shkeljet tregojnë që zyrtarët e AKP-së, kryesisht të lidhur me PDK-në, u kanë dhënë prona publike njerëzve të fortë nga biznesi në dëm të interesit publik. Unë e ftoj Prokurorinë që ta hetoj këtë raport”, tha Muja.

Kundër deklaratës së Mujës reagoi ashpër shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, i cili e quajtur shpifje deklarimin e Mujës për ish-gjeneralin e UÇK-së.

Tahiri tha se i erdhi një mesazh nga Brahimaj me sugjerimin se ai i ka paguar të gjitha qeratë sipas obligimeve kontraktuale me AKP-në.

“Deputeti Muja e apostrofoi z. Lahi Brahimaj se ka marrë tokë me qera dhe se ai nuk e paguan qeranë. Kjo është një gënjeshtër e madhe, e pavërtetë e mahde, një njollosje e një njeriu i cili që nga viti 2012. Vetëm nëse hini dhe e shihni në Facebook, ku ai i publikon fotografitë, dhe çdo ditë e punon atë tokë. Si është e mundshme deputeti Muja me dal në foltore me sha një njeri që paguan qeranë dhe thotë se i ka të gjitha faturat për këtë”, tha Tahiri.

Muja insistoi se rasti i Brahimajt është evidentuar në raportin e auditimit.

“Edhe pse ka evidencë se nuk janë përmbushur obligimet, kontrata e tij është vazhduar me rekomandim të AKP-së. Auditori po e thotë këtë”, u përgjigj Muja.

Por, debati vazhdoi. Tahiri i AAK-së mohoi pretendimet e Mujës. Tha se Brahimaj është pagues i rregullt i qerasë.

“Këtu duhet të sqarohet një e vërtetë dhe ajo e vërtetë është se Lahi Brahimaj si qiramarrës i ka paguar të gjitha obligimet dhe i ka paguar qeratë. Ajo që e di saktë prej z. Brahimaj është se zotëria në fjalë i ka paguar të gjitha qeratë të cilat i ka pasur të detyruara nga qiradhënësi. Nuk është e drejtë, as e ndershme dhe shpifje që i thua njeriut që nuk po e paguan qeranë. Ju lutem, është njësoj për tokën tonë që kemi paguar tërë kohën qera, e tërë Kosova mendon që nuk kemi paguar por e kemi zënë. Po nuk ju lë kështu me shpif!”, u shpreh Tahiri.

Përfundimisht, raporti i auditimit i performancës për të hyrat e qerasë të AKP-së u miratua me shumicë të votave në Kuvendin e Kosovës të enjten.

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe deputeti Armend Muja tha se prej ardhjes në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje, janë vendosur masa më të ashpra për qeratë e aseteve të menaxhuara nga AKP-ja.

“Në bazë të ligjit, qeratë tashmë hapen me ankand. Nuk shkon më sikur ka shkuar përpara, kur procedurat kanë shkuar me negocim të drejtpërdrejta. Kanë shku ia kanë dikujt për 40 euro qera krejt pronat publike. Tash këto dalin në ankand. Këtë e kemi ndryshuar ne. Vetëm te hotel Grandi, nga 20 mijë euro që janë paguar në muaj më parë, tash po paguhen 30 mijë euro. Do të thotë ka pasur reflektim në bazë të vlerave të tregut”, tha Muja.

“Një tjetër masë është sa i përket të hyrave ose qerave të pambledhura. Ato, AKP-ja është këshilluar që përmes përmbarimit të mblidhet çdo borxh që ia kanë qytetarëve të Kosovës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat