Kryeministri Kurti përkujtoi 14 të vrarët dhe 1 të zhdukur, në lagjen “Sofali” të Prishtinës

Aktuale

Kryeministri Kurti përkujtoi 14 të vrarët dhe 1 të zhdukur, në lagjen “Sofali” të Prishtinës

Më: 28 mars 2024 Në ora: 16:54
Foto nga vendi i ngjarjes

Në 25-vjetorin e vrasjes së 14 personave në lagjen ‘’Sofali’’ të Prishtinës dhe 1 personi ende të zhdukur, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe dhe vendosi lule te lapidari që mban emrat e të vrarëve, në kujtim të kësaj ngjarjeje të dhimbshme nga lufta e fundit.

Kjo masakër, në lagjet e Prishtinës, në kryeqytet, këto vrasje e zhdukje me dhunë sikurse të gjithat masakrat e tjera në Kosovë, kryeministri tha se janë dëshmi e pamohueshme e krimeve të Serbisë të kryera gjatë luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit të shtetit të Serbisë ndaj shqiptarëve gjatë luftës së fundit në vitet 1998-1999.

Në këtë përvjetor, para të pranishmëve aty, ai shtoi se krahas mbajtjes gjallë të kujtimit të rënëve, të thellë e kemi mirënjohjen për të gjithë ata, të cilët kanë kontribuar për çlirimin e Kosovës.

“Falënderim për familjet e dëshmorëve dhe martirëve, të luftëtarëve të lirisë dhe të gjithë atyre, të cilët nuk kursyen asgjë për çlirimin e Kosovës”, u shpreh kryeministri Kurti, teksa kujtoi edhe homazhet e sotme që nisën me fillim të ditës, nga homazhet e viktimave të familjet Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu në Podujevë, e më pastaj në Izbicë të Skenderajt.

Në përmbyllje të fjalës së tij, kryeministri u zotua se është detyrë e jona të vazhdojmë rrugëtimin me guxim dhe shpresë për të ardhmen. “Andaj, lavdi martirëve e dëshmorëve këtu në Prishtinë, dhe të gjithë të rënëve për liri anembanë Kosovës. Qoftë i përjetshëm kujtimi për ta!”, theksoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat