​Policia e Kosovës bëhet pjesë e Taskforcës së Përbashkët të Migracionit

Aktuale

​Policia e Kosovës bëhet pjesë e Taskforcës së Përbashkët të Migracionit

Më: 28 mars 2024 Në ora: 20:42
Pamje nga takimi

Policia e Kosovës është bërë pjesë e Taskforcës së Përbashkët të Migracionit me autoritetet ligjzbatuese të Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, e cila ka për qëllim bashkëpunimin në hetime të përbashkëta për të pakësuar lëvizjet e paligjshme dhe krimin e organizuar të migracionit.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla përmes një postimi në Facebook, pas takimit në Tiranë me përfaqësuesit e delegacioneve shqiptare dhe britanike në Tiranë, ku u prezantuan të arriturat e Taskforcës dhe aktivitetet që synojnë luftimin e kësaj veprimtarie ilegale në të ardhmen.

Ministri Sveçla tha se pjesëmarrja e Kosovës në këtë Taskforcë të përbashkët dëshmon përkushtimin e vendit tonë për siguri rajonale dhe më gjerë.

“Kemi shprehur gatishmërinë e Kosovës që t’i bashkohemi Taskforcës së Përbashkët të Migracionit e cila ka për qëllim bashkëpunimin konkret në kontrolle, baza të të dhënave dhe hetime të përbashkëta për të pakësuar lëvizjet e paligjshme dhe krimin e organizuar të migracionit. Kam shprehur gatishmërinë e plotë për bashkëpunim dhe bashkëveprim të autoriteteve tona me ato të Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, si dhe kam prezantuar veprimet që kemi ndërmarrë si institucione deri më tani në këtë drejtim,” ka thënë Sveçla.

Në takim morën pjesë ministri i Brendshëm i Shqipërisë Taulant Balla, ambasadori britanik në Tiranë Alastair King-Smith, drejtori i Përgjithshëm për Zbatimin e Emigracionit në Ministrinë e Brendshme britanike Javid Bas dhe drejtori i Përgjithshëm i Operacioneve Strategjike në Britani të Madhe Stuart Skeates.

“Ftesën time që takimin e radhës të mbajmë në Prishtinë, pjesëmarrësit e pranuan me shumë entuziazëm,” ka thënë Sveçla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat