Deputeti shqiptar në Suedi: Lobuam në KiE që të hiqet kushti për Asociacionin

Aktuale

Deputeti shqiptar në Suedi: Lobuam në KiE që të hiqet kushti për Asociacionin

Më: 28 mars 2024 Në ora: 22:36
Adnan Dibrani

Në mesin e 31 votave pro raportit për Kosovën në Komitetin për Politikë të Jashtme të Këshillit të Evropës, qe edhe ajo e Adnan Dibranit. Deputeti shqiptar në Parlamentin e Suedisë thotë se ka lobuar vazhdimisht, që faza e parë e anëtarësimit të Kosovës në KiE, të kalojë me sukses.

Prandaj, në takimin e mbyllur për media të mërkurën, tregon se nuk pati aq hezitime gjatë diskutimeve, për ta miratuar opinionin e raportueses Dora Bakoyannis.

“Ka shkuar shumë më pozitiv se që kam menduar. Është mazhorancë e mirë, dhe mesazh i mirë për Asamble, ku e bëjmë debatin dhe ia dërgojmë Komitetit të Ministrave”, deklaroi Adnan Dibrani, anëtar i Komitetit për Politikë të Jashtme dhe Demokraci në KiE.

Sipas Dibranit, me rëndësi është që para anëtarësimit, Kosovës nuk i janë caktuar kushte shtesë, siç kanë kërkuar disa prej shteteve evropiane.

“Na jemi mundu me i largu këto senet tjera, sepse këtu përzihen, jo Asociacioni, jo andej-këndej, po nuk janë sene të Këshillit, jena mundu me i hjekë këto, mos me u përzi puna me atë çka ndodh në BE”, shtoi tutje Dibrani.

Më 18 prill, raporti i Bakoyannis diskutohet dhe votohet në Asamblenë Parlamentare, për t’u dërguar për fazën finale te Komiteti i Ministrave, që mblidhet në maj.

Kjo periudhë kohore ka rëndësi të dyfishtë për Dibranin, që synon një tjetër pozitë politike.

Megjithatë, ky thotë se duhet ende punë në terren, sidomos me shtetet mosnjohëse, që të sigurohen votat e mjaftueshme për anëtarësimin e plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat