Kryeministri Kurti ishte i ftuar në iftar nga zyra koordinuese e TIKA-së në Kosovë

Aktuale

Kryeministri Kurti ishte i ftuar në iftar nga zyra koordinuese e TIKA-së në Kosovë

Më: 28 mars 2024 Në ora: 22:43
Pamje nga takimi

Në ditën e 18-të të Muajit të Shenjtë të Ramazanit, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë iftar bashkë me ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, zëvendësministrin në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Turqisë, Yasin Ekrem Serim, komandantin e KFOR-it, gjeneral Özkan Ulutas, Myftiun Naim Tërnava, ministra, zëvendësministra, deputetë, përfaqësues e udhëheqës të institucioneve të shtetit tonë, iftar ky i shtruar nga zyra koordinuese e TIKA-së në Kosovë, në krye me Fulya Aslan, koordinatore e TIKA-s.

Duke uruar të gjithë agjëruesit, që përgjatë këtij muaji të kenë qetësinë e shpirtit dhe përkushtimin e zemrës drejt vlerave të besimit, bashkëpunimit, të mbrojtjes e të zhvillimit të paqes, kryeministri bëri thirrje për më shumë mirësi ndaj njëri-tjetrit, bujari e kujdes për të gjithë, e përbashkim rreth thirrjes për vepra më të mira.

“Çdo herë ta kemi në mendje respektin dhe vlerësimin e lartë për kontributin që kanë dhënë brezat para nesh, për lirinë e popullit tonë. E përderisa këtë muaj përkujtojmë edhe sakrificën e popullit të Kosovës, kujtojmë dhe nderojmë përherë familjet e dëshmorëve dhe të martirëve”, tha kryeministri Kurti.

Me këtë rast, kryeministri ka falënderuar TIKA-n turke për mbështetjen e vazhdueshme, bashkëpunimin e shkëlqyeshëm dhe kontributin për zhvillimin në Kosovë.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Shkëlqesia juaj, Sabri Tunç Angılı, ambasador i Republikës së Turqisë në Kosovë,

I nderuari z. Yasin Ekrem Serim, zëvendësministër në ministrinë e Punëve të Jashtme të Turqisë,

I nderuari komandant i KFOR-it, gjeneral Özkan Ulutas,

E nderuara znj. Fulya Aslan, koordinatore e TIKA-s në Kosovë,

Të nderuar ministra, zëvendësministra, deputetë, përfaqësues e udhëheqës të institucioneve të shtetit tonë,

I nderuari udhëheqës i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myfti Naim Tërnava,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Motra dhe vëllezër,

Është kënaqësi që jam sonte këtu me juve dhe ndonëse jemi në ditën e 18-të, meqë po shihemi sot, më lejoni t’ua uroj Muajin e Shenjtë të Ramazanit!

Uroj që përgjatë këtij muaji të keni qetësinë e shpirtit dhe përkushtimin e zemrës drejt vlerave të besimit, bashkëpunimit, të mbrojtjes e të zhvillimit të paqes. Për më shumë mirësi ndaj njëri-tjetrit, bujari e kujdes për të gjithë, e përbashkim rreth thirrjes për vepra më të mira.

Çdo herë ta kemi në mendje respektin dhe vlerësimin e lartë për kontributin që kanë dhënë brezat para nesh, për lirinë e popullit tonë. E përderisa këtë muaj përkujtojmë edhe sakrificën e popullit të Kosovës, kujtojmë dhe nderojmë përherë familjet e dëshmorëve dhe të martirëve.

E bashkë me natyrën e cila po ripërtërihet në këtë stinë të pranverës, uroj që Muaji i Ramazanit të sjellë ripërtëritjen shpirtërore. E thonë që mosha e vërtet e njeriut është mosha e shpirtit të tij apo të saj, andaj u uroj të gjithëve që gjithmonë të keni shëndetin e fortë dhe shpirtin e ri.

E falënderoj TIKA-n turke për mbështetjen e vazhdueshme, bashkëpunimin e shkëlqyeshëm dhe kontributin për zhvillimin në Kosovë.

Në këtë Ramazan u dëshiroj agjërim të lehtë dhe lutje të pranuara të gjithë juve dhe secilit e secilës prej jush.

Zoti ua bëftë kabull agjërimin e kësaj dite! Dhe ju faleminderit shumë për ftesën për këtë iftar kaq të shijshëm në muajin e shenjtë të Ramazanit.

Image
Pamje nga takimi
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat