IKShPK konstaton një rritje të lehtë të Kollës së Mirë

Aktuale

IKShPK konstaton një rritje të lehtë të Kollës së Mirë

Më: 29 mars 2024 Në ora: 12:35
Foto ilustrim

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës gjatë mbikëqyrjes permanente të situatës epidemiologjike në vend ka konstatuar një rritje të lehtë të rasteve të Kollës së Mirë (Pertussis), krahasuar me vitet e fundit.

Gjatë vitit 2024, IKSHPK ka regjistruar tetë raste të konfirmuara me laborator të Pertusisit, kryesisht te moshat e reja.

Kështu bëri me dije instituti përmes një postimi në Facebook,.

Pertusis që ndryshe njihet edhe si Kolla e mirë, është një sëmundje ngjitëse bakteriale që përfshin traktin e frymëmarrjes. Shkaktohet nga bakteria Bordetella Pertussis që gjendet në gojën, hundën dhe fytin e personit të infektuar.

Kjo sëmundje ngjitëse mund të shfaqet në çdo moshë, por më shpesh i prek fëmijët dhe adoleshentët. Më të rrezikuar janë fëmijët nën moshën 1-vjeçare.

Sëmundja përhapet lehtësisht nga personi në person, kryesisht përmes pikave/spërklave nga kollitja ose teshtitja e personit të infektuar.

Simptomat ngjajnë me ato të një ftohjeje të zakonshme, duke përfshirë teshtitjen, rrjedhjen e hundës, temperaturë të ulët dhe një kollë të lehtë.

“Kujdesi është veçanërisht i rëndësishëm për foshnjat, ndërsa mbrojtja më e mirë është parandalimi përmes vaksinimit të fëmijëve. Në Kosovë vaksinimi kundër Pertusisit bëhet sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit, ku vaksina kundër Pertusisit jepet në moshën 2, 4 dhe 6-muajshe, ndërsa ri-vaksinimi në moshën 18-muajshe”, thotë IKShPK-ja.

Ndryshe nga sëmundjet e tjera si varicela e fruth, Pertusisi mund të shfaqet tek i njëjti person më shumë se një herë gjatë jetës, sepse antitrupat që krijohen pas infeksionit ose imunizimit bien me kalimin e kohës.

IKSHPK u bën thirrje prindërve që t’i përmbahen Kalendarit të rregullt të vaksinimit dhe t’i vaksinojnë fëmijët, sipas orareve të përcaktuara në kalendar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat