​Opozita e pakoordinuar për mënyrën sesi të shkohet në zgjedhje

Aktuale

​Opozita e pakoordinuar për mënyrën sesi të shkohet në zgjedhje

Më: 29 mars 2024 Në ora: 14:28
Foto ilustrim

Partitë opozitare kanë paralajmëruar diskutime për të parë mënyrat sesi të shkohet në zgjedhje të parakohshme, megjithatë dallimet ende janë të mëdha. Derisa në PDK theksuan se do të angazhohen që deri në fund të muajit prill të shpërndahet Kuvendi, në LDK dhe AAK vazhduan të kërkojnë shkarkimin ose dorëheqjen e kryeministrit Kurti për të shkuar në zgjedhje. Në anën tjetër, në partinë në pushtet potencuan nevojën që paraprakisht të ketë një koordinim dhe dakordim ndërmjet partive politike për të caktuar datën e zgjedhje, pasi thanë se vendi s’është në një situatë të jashtëzakonshme që të shkohet në zgjedhje.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se ditët në vijim kryetari Memli Krasniqi do të takohet edhe liderët e partive të tjera parlamentare për t’u dakorduar që deri në fund të muajit prill të shpërndahet legjislatura e tetë.

Tahiri: Do të angazhohemi që deri në fund të muajit prill të shpërndahet Kuvendi

“Asnjë parti nuk duhet që është më e vendosur sesa PDK-ja kur vjen puna te zgjedhjet. Ne jemi partia e vetme që kemi një platformë të qartë, kemi një kandidat për kryeministër dhe kemi propozuar datën 9 qershor si datë e mundshme për zgjedhje....Mocioni për shpërndarjen e Kuvendit niset nga gjashtë deputetë, pastaj kryesia është e detyruar me vendos në rend të ditës një çështje të tillë. Kjo do të ndodh, natyrisht se do të ndodh, por pas një konsulte të kryetarit Krasniqi së bashku me kryetarët e partive të tjera politike. Në s’ka dy javë që kemi dhënë datën, por para dy dite ku kemi thënë se 9 qershori është si datë optimale që gjatë asaj periudhe të organizohen zgjedhjet. Këtë propozim do të përcjellim me hapa konkret. Jemi fund të muajit mars dhe nëse e shpërndajmë Kuvendin në fund të muajit prill, atëherë i bie që brenda 45 dite, përafërsisht i bie që data 9 qershor të jetë data kur organizohen zgjedhjet. Muaji prill do të jetë muaji që do të angazhohemi që të implementojmë këtë proces”, tha ai.

Megjithëse tha se LDK-ja është e gatshme kurdo për zgjedhje të parakohshme, shefi i deputetëve të kësaj partie, Arben Gashi, u shpreh i rezervuar nëse do të iniciojnë kërkesën për thirrjen e seancës për shpërndarjen e Kuvendit, por tha se nëse e njëjta vjen do të votojnë pro.

Gashi: Jemi në fazë zgjedhore kurdo që ndodh jemi të gatshëm për zgjedhje

“Jemi në fazë zgjedhore kurdo që ndodh jemi të gatshëm për zgjedhje...Këta e kanë shumicën dhe nuk japin asgjë. Këta vetëm mashtrojnë. Këta nuk e mbështesin funksionimin normal të një komisioni hetimor parlamentar dhe t’i po mendon që kanë me mbështetë shpërndarjen e Kuvendit, që potencialisht do t’i dërgon në burg nesër...Shkojmë dhe votojmë. S’diskutohet kjo punë”, theksoi Gashi.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se do të diskutojnë edhe me partitë të tjera opozitare për t’u koordinuar për mënyrën e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme.

Tahiri: Kurti është dorëzuar, por po sheh mënyrën sesi të fajësojë opozitën për ta dërguar vendin në zgjedhje

“ Ne jemi në diskutim me grupet parlamentare që qysh me u qasë. Aleanca e ka pozicionin më komod në këtë temë. Ne jemi për të shkuar në zgjedhje sa më shpejtë që është e mundshme, por duhet parë sesi. Ne mendojmë se kjo qeveri duhet të shkarkohet, madje ne kemi qenë të partë që kemi propozuar inicimin e shkarkimin e kësaj qeverie ose duhet të shkohet në zgjedhje. Albin Kurti është dorëzuar, veç një qëllim e ka sesi të gjendet një formë që t’i mbete faji opozitës për shkuarjen në zgjedhje. Ne jemi në komunikim me shefat e grupeve parlamentare dhe do të kemi një qëndrim të përbashkët rreth asaj teme”, tha ai.

Në anën tjetër, shefja e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se vendi nuk është në një situatë të jashtëzakonshme, që medoemos të shkohet në zgjedhje.

Kusari-Lila: Nuk jemi në një situatë të jashtëzakonshme që me doemos duhet të shkohet në zgjedhje

“Nëse synimi i tyre është shkuarja në zgjedhje fokusi i tyre duhet të jetë në dialogim pse duhet të ketë urgjencë për shkuarje në zgjedhje. Cilat janë pikat nga agjenda legjislative që duhet me doemos të kalojmë për të shkuar në zgjedhje. Me vullnetin politik prej kryeministrit dhe të gjithë grupit parlamentar nuk ka problem, ballafaqohemi në proces zgjedhor. Por duhet të shohim çka duhet që nga kjo çka kemi para vetit në agjendë të miratojmë që të kemi një proces të mirë menaxhuar. Nuk jemi në një situatë të jashtëzakonshme që me doemos duhet të shkohet në zgjedhje”, tha ajo.

Këto komente ata i bën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të premten.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat