​Ligji për Zyrtarët Publikë, mospajtime në komision se a po zbatohet vendimi i Kushtetueses

Aktuale

​Ligji për Zyrtarët Publikë, mospajtime në komision se a po zbatohet vendimi i Kushtetueses

Më: 29 mars 2024 Në ora: 15:37
Foto nga vendi i ngjarjes

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, në raportimin e tij për Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, ku u diskutua shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë ka thënë se MPB-ja po zbaton urdhërin e dhënë nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.

Ai tha se përveç zbatimit të urdhërit të Gjykatës Kushtetuese, Ministria e Punëve të Brendshme ka paraparë ndryshimin e disa dispozitave të tjera në mënyrë që të lehtësojë zbatimin e ligjit në praktikë.

Dobra: Përmes projektligjit plotësohet dhe ndryshohet neni 3 i ligjit bazik

“Përmes projektligjit plotësohet dhe ndryshohet neni 3 i ligjit bazik me qëllim të specifikimit të institucioneve që përjashtohen nga fushëveprimi i ligjit si dhe neni 6 i ligjit ku specifikohet lista e nëpunësve me status të vecantë, pasi që gjykata kushtetuese ka kërkuar që të punësuarit në agjensitë e pavarura të themeluara sipas nenit 142 të të Kushtetutës të trajtohen si nëpunës civilë me status të vëcantë. Në përputhje me pikën 12 b të dispozitivit të aktgjykimit projektligji përcakton procedurën e ankesës së nëpunësve të shërbimit publik dhe atyre teknikë, mbështetës e që kompetent për trajtimin e tyre do të jetë komisioni përkatës i themeluar nga institucioni. Sa i përket listës së pritjes në përputhje me pikën 12a të aktgjykimit projektligji përcakton se nëpunësit në listën e pritjes gëzojnë të gjitha të drejtat nga marrëdhënia e punës, duke përfshirë të drejtën në pagë, lartësinë e pagës”, tha ai.

Ndërkaq, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, akuzoi Qeverinë se po mundohet të kamuflojë një projektligj në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ai tha se Qeveria Kurti ka tentuar t’i kapë të gjitha pozitat e larta drejtuese dhe se këtë po tenton ta bëj me ndryshimin e ligjit për zyrtarët publikë.

Lushtaku: Ju keni tentuar t’i kapni të gjitha pozitat e larta dhe të ulëta drejtuese

Është shqetësuese se si qeveria po mundohet të kamuflojë një projektligj në kundërshtim me vetë aktgjykimin e gjykatës Kushtetuese. I keni vendosur me mandat zyrtarët e pozitave udhëheqëse të nivelit të ultë, ku Gjykata Kushtetuese ia ka tërhequr vërejtjen nga fillimi që ju nuk keni të drejtë të largoni zyrtarët dhe t’i bëni me mandat zyrtarët të cilët janë të kategorisë së ultë menagjeriale dhe ju i vendosni me mandat këtë gjë. Ju keni tentuar t’i kapni të gjitha pozitat e larta dhe të ulëta drejtuese dhe prandaj e keni bërë me ndryshimin e ligjit për zyrtarët publikë”, tha ai.

Kurse anëtari tjetër i këtij komisioni, Besnik Tahiri nga radhët e AAK-së, e pyeti zëvendësministrin Dobra se pse ka kërkuar nga kryeministri Kurti që ky ligj t’i shmanget procedurave të parapara me rregulloren e punës dhe se pse ky ligj është votuar në mbledhje elektronike dhe jo në mbeldhje të rregullt.

Duke folur për pozitat që kanë udhëheqës detyre, Tahiri tha se kjo shprehi së bashku me kontratat në vepër janë kancer që e shkatërrojnë administratën shtetërore.

Tahiri: Kancer që e shkatërron administratën e shtetit është ushtruesi i detyrës dhe kontrata në vepër

Cila është arsyeja madhore që ju keni kërkuar prej kryeministrit që ky ligj t’i shmanget procedurave të parapara me rregulloren e punës se qeverisë me miratimin e këtij ligji? Pse nuk e keni vendosur në miratim këtë ligjë në mbledhje të rregullt por në mbledhje elektronike të qeverisë 4 orëshe? Kancer që e shkatërron administratën e shtetit është ushtruesi i detyrës dhe kontrata në vepër. Funksioni ushtruesit të detyrës është aq i dobët sa që nesër të emëron e nesër të shkarkon”, tha Tahiri.

Në përgjigjen e tij ndaj deputetit Tahiri, Dobra tha se mbledhjet e rregullta zgjasin një orë dhe se nuk ka ndonjë arsye tjetër, por thjesht vetëm për shkak të agjendës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat