​Bislimi kërkon heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës

Aktuale

​Bislimi kërkon heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës

Më: 15 prill 2024 Në ora: 14:32
Foto nga takimi

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, gjatë një takimi sot me zëvendësdrejtorin menaxhues për Evropë të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) të BE-së, Marko Makovec, ka kërkuar heqjen sa më parë të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, gjersa ato vijojnë të mbeten të padrejta.

Bislimi theksoi domosdoshmërinë e avancimit të Kosovës në rrugëtimin drejt integrimit evropian, veçanërisht trajtimit të aplikimit për anëtarësim në BE, ku mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat, përkundër progresit në luftimin e krimit dhe korrupsionit.

Në takim u bisedua edhe mbi zhvillimet e fundit në vend e rajon, fuqizimi i bashkëpunimit rajonal, vizioni i Planit të Rritjes si instrument që duhet të ndihmojë në konvergjencën mes shteteve të rajonit, por edhe atë me BE-në dhe perspektiva e zhvillimit dhe prosperitetit në shtetin tonë.

BE vazhdon të mbajë masat penalizuese ndaj Kosovës që përfshijnë pezullimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), mos ftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe pezullimin e vizitave dypalëshe.

Masat e tjera përfshijnë edhe ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit), si dhe propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor 2023.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat