​Garancitë e BE-së do të zhbllokojnë 37 milionë euro për bizneset e vogla në Kosovë

Aktuale

​Garancitë e BE-së do të zhbllokojnë 37 milionë euro për bizneset e vogla në Kosovë

Më: 15 prill 2024 Në ora: 14:33
Foto ilustrim

Fondi Evropian i Investimeve (FEI), pjesë e Grupit të Bankës Evropiane të Investimeve (EIB), ka nënshkruar marrëveshje garancie të portofolit me 11 banka dhe ndërmjetës financiarë në ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Këto marrëveshje të financuara nga BE-ja në kuadër të Instrumentit për Sipërmarrje dhe Inovacion në Ballkanin Perëndimor (WB EDIF) Iniciativa e Garancive për Qëndrueshmërinë e NVM-ve do t'u mundësojnë bankave dhe institucioneve financiare vendase të krijojnë një portofol kredish për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për një shumë totale prej mbi 750 milionë euro, së bashku me ato që do të nënshkruhen deri në gjysmën e parë të vitit 2024.

Këto burime financiare synojnë të rrisin qasjen në financa te bizneset e vogla dhe të përmirësojnë qëndrueshmërinë e tyre ndaj vështirësive të vazhdueshme ekonomike, duke krijuar njëkohësisht kushte për zgjerimin e biznesit, punësimin dhe inovacionin.

Në Kosovë, ky instrument pritet të shpërndajë kredi me një vlerë totale prej 37 milionë eurosh, të disponueshme me kushte të favorshme kreditimi për rreth 690 ndërmarrje të vogla dhe të mesme, duke mbështetur rreth 9.500 vende pune.

Marjut Falkstedt, drejtori ekzekutiv i FEI-t, tha këto burime financiare do të përmirësojnë kapacitetin e tyre për risi dhe rritje, duke kontribuar në integrimin e mëtejshëm brenda ekonomisë së BE-së.

“Në këtë mënyrë, këto fonde të konsiderueshme do të ofrojnë një shtysë për zhvillimin e ekonomive rajonale të fuqishme dhe konkurruese, si dhe avancimin e tyre në zinxhirët globalë,” tha ai.

Në Kosovë, garancitë e FEI-t zhbllokuan rreth 190 milionë euro në total deri më tani për afro 3 mijë ndërmarrje të vogla dhe të mesme, të cilat ndihmuan në ruajtjen e 31.000 vendeve të punës.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomash Szunyog tha se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë do të jenë në gjendje të rrisin mundësitë e tyre të financimit dhe të marrin kredi me kushte të favorshme.

“Kjo nismë e financuar nga BE-ja do t'i ndihmojë ndërmarrjet e tilla në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor që t'i përgjigjen më mirë sfidave ekonomike dhe të rriten," tha ai.

Fondi Evropian i Investimeve (FEI) është pjesë e Grupit të Bankës Evropiane të Investimeve. Misioni qendror i tij është të mbështesë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NVM) duke i ndihmuar në qasjen në financa.

FEI harton dhe zhvillon kapital sipërmarrjeje dhe rritjeje, garanci dhe instrumente mikrofinancimi që synojnë posaçërisht këtë segment të tregut. Përmes këtij roli, FEI nxit objektivat e BE-së për mbështetje të inovacionit, kërkimit dhe zhvillimit, sipërmarrjes, rritjes dhe punësimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat