​Clinton: Kosova arriti të sigurojë dëmshpërblime për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

Aktuale

​Clinton: Kosova arriti të sigurojë dëmshpërblime për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

Më: 15 prill 2024 Në ora: 15:58
Ish-sekretarja e Shtetit të Shteteve të Bashkuara, Hillary Clinton

Ish-sekretarja e Shtetit të Shteteve të Bashkuara, Hillary Clinton në një përshëndetje virtuale në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë ka thënë se Kosova pas disa vitesh lobimi arriti të sigurojë dëmshpërblime për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës si dhe zgjodhi presidenten e parë grua, për të vazhduar edhe me të dytën.

Clinton potencoi se gratë nuk janë vetëm viktima të dhunës dhe pabarazisë, por janë agjente të paqes dhe progresit.

Clinton: Ju zgjodhët presidenten e parë dhe tani të dytë grua

“Gratë nuk janë vetëm viktima të dhunës dhe pabarazisë, gratë janë agjente të paqes dhe progresit. Në dekadat që nga ajo kohë, Kosova ka qenë një vend i pavarur, aktivistët për të drejtat e grave, shumë prej tyre në këtë dhomë, siguruan përparim domethënës drejt arritjes së barazisë gjinore në sektorin publik dhe në politikë. Pas vitesh lobimi, ju arritët të siguroni dëmshpërblime për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, dhe zgjodhët presidenten tuaj të parë, dhe tani të dytë femër, të përkushtuar për ruajtjen dhe forcimin e paqes, zgjerimin e mundësive ekonomike dhe vërtetimin se bashkëpunimi jep dividendë shumë më të mëdhenj se konflikti. Jam e kënaqur që do të punoni me Departamentin e Shtetit të SHBA-së dhe Institutin Georgetown për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në krijimin e një qendre rajonale të ekselencës për gratë, paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ky zhvillim i ri do t'ju mundësojë juve dhe rajonit të realizoni më mirë premtimin e kornizës së ËPS të krijuar nga Kombet e Bashkuara”, tha Clinton.

Ndër të tjera, Clinton tha se demokracitë tona janë më të forta dhe më të qëndrueshme kur gratë përfshihen dhe trajtohen si të barabarta, e veçanërisht sipas saj kur gratë udhëheqin.

Ajo shtoi se të drejtat janë të rëndësishme, por ato nuk janë asgjë pa fuqinë për t'i kërkuar dhe mbrojtur ato.

Clinton: Demokracitë tona janë më të forta kur gratë udhëheqin

“Së bashku, gratë e përkushtuara për ndërtimin e paqes udhëheqin përmes veprimit, por ne gjithashtu udhëheqim me shembull. Demokracitë tona janë më të forta dhe më të qëndrueshme kur gratë përfshihen dhe trajtohen si të barabarta, dhe veçanërisht kur gratë udhëheqin. Por, thjeshtë përqafimi i konceptit të të drejtave të grave, e lëre më për t'i ngulitur ato të drejta në ligje dhe kushtetuta nuk është e njëjtë me arritjen e barazisë së plotë. Të drejtat janë të rëndësishme, por ato nuk janë asgjë pa fuqinë për t'i kërkuar dhe mbrojtur ato”, theksoi Clinton. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat