MPJ konfirmon evakuimin e tre shtetasve të Kosovës nga Izraeli së bashku me ata të Shqipërisë

Aktuale

MPJ konfirmon evakuimin e tre shtetasve të Kosovës nga Izraeli së bashku me ata të Shqipërisë

Më: 15 prill 2024 Në ora: 19:22
Foto ilustrim

Ministria e Jashtme e Kosovës ka bërë të ditur se tre kosovarë janë evakuuar nga Izraeli, dhe janë rrugës për në Kosovë.

Ministria shton se bashkë me shtetasit e Kosovës, gjenden edhe 12 shtetas të Shqipërisë.

Gjithashtu Ambasada e Republikës së Kosovës ka vazhduar komunikimin e rregullt me shtetasit tjerë që ndodhen ende në territor dhe sipas kërkesave të tyre u është ofruar ndihmë për largim, duke siguruar aranzhimin e biletave dhe ndihmë logjistike.

“Në lidhje me situatën në Izrael, ju njoftojmë që evakuimi i tre kosovarëve nga Izraeli, të cilët, së bashku me 12 shtetas të Shqipërisë gjenden në Qipro, në rrugën drejt Shqipërisë dhe Kosovës, është kryer në bashkëpunim të ngushtë në mes të Ambasadës së RKS dhe Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Izrael”, ka shkruar ministria.

Ministria rikonfirmoi se asnjë shtetas kosovar nuk ka pësuar lëndime, nuk ka pasur vështirësi në lëvizje apo vështirësi të çdo natyre tjetër.

“Me gjithë vështirësitë dhe restriksionet ,linjat e fluturimit në përgjithësi kanë filluar te stabilizohen, pasi nuk pritet së shpejti ndonjë sulm tjetër i natyrës së ngjashme”, shton më tutje ministria e Jashtme.

Në Izrael gjenden edhe rreth 15 qytetarë nga Kosova por që nuk kanë treguar interesimin për t’u larguar nga Izraeli.

MPJD-ja vazhdon të ndjek nga afër ngjarjet, dhe janë në koordinim te vazhdueshëm me autoritetet izraelite.

“Për çdo nevojë të mundshme ftohen shtetasit e Kosovës që të kontaktojnë në telefon dhe WhatsApp me numrat e kontaktit të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Izrael:

+972 58-634- 0450 dhe +972 54-469-9799”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat