LDK pret vendim pozitiv për Kosovën nesër në KiE

Aktuale

LDK pret vendim pozitiv për Kosovën nesër në KiE

Më: 16 prill 2024 Në ora: 00:08
Lutfi Haziri

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka deklaruar se pret që nesër në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasbourg, të konfirmohet votimi për Kosovën i komitetit për politikë dhe demokraci.

Haziri në Tëvë1, tha se shpreson që gjatë ditës së nesërme mos të ketë komplikime të cilat sipas tij, mund të vijnë për shkak të menaxhimit jo të mirë të Qeverisë së Kosovës.

“Pritjet janë që të konfirmohet votimi i Komutetit për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës, pas një debati që është procedural, ku delegacionet, deputetët do të flasin lidhur me raportin e emisares së Këshillit të Evropës, ish-ministrja e jashtme greke e cila ka një raport me Kosovën. Me të thënë të drejtën ka një histori bashkëpunimi dhe si ish-ministre e Jashtme dhe si familje që udhëheqë me politika në shtetin e saj dhe natyrisht shpresojmë shumë që mos të ketë komplikime që janë pjesë e defektit që kjo Qeveri ka mund të mos i menaxhojë mirë. Ne si LDK e kemi ndihmu procesin në heshtje kryetari i LDK-së, delegacionet e LDK-së, në partitë popullore evropiane ka bë lobim tash e një kohë të gjatë”, tha Haziri.

Më tej nënkryetari i LDK-së theksoi se presidentja e vendit, Vjosa Osmani i ka kushtuar rëndësi të veçantë Këshillit të Evropës, për dallim prej Qeverisë ku sipas tij, ka shkaktu shumë problem.

“Krejt çka mundemi me thënë, unë që e vlerësoj është që presidnetja e ka një lloj dashnie të parë në Këshillin e Evropës. Është njëra prej ish-funksionareve si deputete dhe si udhëheqëse politike, më herët ka pasë një angazhim e prioritet të lartë në Këshillin e Evropës. Në formatin e presidentes i ka kushtu rëndësi të veçantë, ndërsa pjesa ekzekutivit Qeveria më shumë ka shkaktu probleme, telashe”, shtoi më tej Haziri.

Ndryshe, Këshilli i Evropës ka njoftuar se sot do të fillojë Asambleja e Këshillit të Evropës, e cila do të zgjasë deri të premten e 19 prillit.

Në mesin e pikave për diskutim është edhe ai për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Një debat për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe votimi i një projekt-opinioni, do të jetë një moment kryesor i sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE)”, thuhet në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat