‘Brezovica 1’/ Dorëzohet në Polici i dyshuari për dhënien e 80 mijë eurove ryshfet për leje ndërtimore, ja emri i tij

Aktuale

‘Brezovica 1’/ Dorëzohet në Polici i dyshuari për dhënien e 80 mijë eurove ryshfet për leje ndërtimore, ja emri i tij

Më: 16 prill 2024 Në ora: 08:12
Pamje nga vendi i ngjarjes

Drejtoria për Hetimit e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda ka arritur të sigurojë prezencën e të dyshuarit që ishte në kërkim për rastin ‘Brezovica 1’. I dyshuari tashmë ndodhet në ndalim policor dhe i njëjti po hetohet për dy vepra penale.

Media ka mësuar se bëhet fjalë për Liridon Domanekun, i cili sipas informacioneve të para është dorëzuar gjatë ditës së djeshme në Polici.

Domaneku – i cili ka qenë në kërkim policor, dyshohet se ka kryer dy vepra penale “Dhënia e ryshfetit” dhe “Ushtrimi i ndikimit”.

Ndaj tij, është urdhëruar masa e ndalimit policor dhe brenda afatit ligjor pritet të ushtrohet edhe kërkesa për caktimin e masës së sigurisë.

Kujtojmë se Domaneku përmendet në rastin e ish-kryetarit të Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, i cili akuzohet se ka përfituar kundërligjshëm mbi 1 milion euro, vetura luksoze e tri vikend-shtëpiza në Brezovicë.

Aktakuza e ngritur në dhjetor 2022, e ngarkon Nikoliqin se përmes personit përgjegjës të ndërmarrjes “Quko Co”, ka arritur të përfitojë 210 mijë euro për 21 leje ndërtimore të vikend-shtëpizave për investitorin “Stella Consulting”.

Ai po ashtu akuzohet se kishte përfituar para për dhënien e 12 lejeve ndërtimore, ku mes tjerash dyshohet se kishte marrë 80 mijë euro nga investitori Liridon Domaneku.

200 mijë euro përfitim për lejen ndërtimore te objektit hotelier “Stella Consulting“, me person përgjegjës, Gentian Sulo,

240 mijë euro nga personi përgjegjës i ndërmarrjes “Euro Sport“, Rijad Hasani,

100 mijë euro për ndërtimin e objektit hotelier “Rimida“,

100 mijë euro nga i pandehuri Blerim lmeri, për marrjen e 10 lejeve ndërtimore,

80 mijë euro nga investitori Liridon Domaneku, për marrjen e lejes për ndërtimin e objektit banesor me 14 apartamente,

30 mijë euro nga personi Husein Ajdini, për marrjen e lejes ndërtimore për objektin hotelier “Rock“,

40 mijë euro nga investitorët e lagjes “Sarova“,

40 mijë euro nga investitorët e lagjes “Kashtanjeva” për marrjen e lejes për gjashtë vikend-shtëpiza,

Një veturë e markës “Range Rover” në vlerë prej 78 mijë euro,

3 vikend-shtëpiza në vlerë rreth 300 mijë euro.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat