Nëna e Dafina Zhubit kërkon drejtësi tetë vjet pas vdekjes së dyshimtë të saj

Aktuale

Nëna e Dafina Zhubit kërkon drejtësi tetë vjet pas vdekjes së dyshimtë të saj

Më: 16 prill 2024 Në ora: 14:52
Nëna e Dafina Zhubit

Kosova u trondit sot nga vrasja e një gruaje në Pejë, dorasi po dyshohet të jetë burri i saj.

Para pak ditësh u vra edhe një tjetër grua në Ferizaj, ndërsa i dyshuar për këtë është ish-bashkëshorti i saj.

Para tetë viteve, më 17 shkurt, në banesë ishte gjetur e vdekur Dafina Zhubi. Ajo kishte vdekur si pasojë e plagëve të marra me armë zjarri.

Arma me të cilën u vra Zhubi, ishte në pronësi të Astrit Dibrës, ish i dashuri i tashmë të ndjerës.

Ngjarja atëherë ishte cilësuar si vetëvrasje, por një ekspertizë e kryer në Zvicër thoshte se ajo është vrarë.

E nëna e të ndjerës, po kërkon drejtësi për vajzën e saj. Ajo lidhur me këtë foli në emisionin “Kosova Today”.

“Unë kam shumë dëshmi. Asnjë seancë nuk është mbajtur asnjëherë. Për gjashtë muaj e kanë liruar Astrit Dibrën. Kam kërkuar tash e sa kohë që të mbahet një seancë, po mbahet seancë për dru që prehen në mal, e për Dafinën nuk është mbajtur asnjë”, u shpreh ajo.

“Unë dua të di se çfarë ka ndodhur atë natë, ose atë ditë, por me sa di unë kam shumë dëshmi se Dafina nuk e ka pirë duhanin, Astriti nuk e ka pirë duhanin, është një ‘Winston’ (pako e cigares) aty. Ilaz Beqiri nuk ka lejuar veturat t’i shikojnë, shihet është një pjesë e ujit aty që e kanë la aty rastin, dhe menjëherë kanë hipur në katin e shtatë. Kam dëgjuar që edhe e kanë rrahur”.

Ajo tutje tha se rrobat që i kishte paraqitur prokurori i rastit si të Dafinës nuk ishin të saj, dhe se edhe në këtë pikë ka dyshime.

Nëna e tashmë të ndjerës, tutje tha se prokurori kishte thirrur edhe sigurimin e Gjykatës për ta nxjerrë atë nga zyra.

“Më ka kërcënuar, i ka thirrë nga poshtë sigurimat ka thënë menjëherë ejani dhe nxirreni këtë nga zyra, sepse është që kam thënë që këto nuk janë rrobat e Dafinës, ai nuk e ka besuar këtë”, tha nëna e Dafinës.

“(Prokurori) më ka pyetur se ku janë ato rroba, ndërkohë ato i ka mbajtur motra, dhe kanë filluar të dëmtohen, motra ka thënë do t’i gjuaj, i kam thënë fotografoj, i ka bërë foto dhe unë i kam të gjitha fotografitë”, tha tutje ajo.

“Dafina kurrë nuk ka pasur shanse të vras vetën”, tha mes tjerash gruaja e cila po kërkon drejtësi për vajzën e saj.

Ajo tha se sigurimi që i kishte kërkuar asaj të dalë nga zyra, ishte thirrur nga prokurori Kujtim Munishi, dhe  se ky është prokurori i shtatë për këtë rast, sepse deri më tani janë ndërruar prokurorët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat