​Vrasja e gruas në Pejë, Haxhiu: Femicidi është armik i brendshëm i shoqërisë tonë

Aktuale

​Vrasja e gruas në Pejë, Haxhiu: Femicidi është armik i brendshëm i shoqërisë tonë

Më: 16 prill 2024 Në ora: 17:22
Albulena Haxhiu

Pas takimit mes Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drejtorit të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, e para e drejtësisë ka adresuar propozimet e tyre për personat që kryejnë dhunë në familje dhe femicid.

Haxhiu ka thënë se ky fenomen tashmë është armiku ynë i brendshëm e me rrezik shumë të madh.

Përveç femicidit, ajo bëri thirrje që të dënohet ashpër edhe gjuha e urrejtjes nga qytetarët në rrjete sociale.

Ministrja Haxhiu para gazetarëve tha se që nga vitit 1999 e deri më sot janë vrarë 99 gra nga burrat apo partnerët e tyre.

Haxhiu: Fenomeni i dhunës në familje dhe femicidit është shqetësues dhe rëndues për shoqërinë tone

“Shpreh ngushëllimet për familjen e të ndjerave, në Ferizaj dhe Pejë. Sot mblodhëm grupin ndërministrorë, më herët përfunduam edhe një takim me Ministrin Sveçla, Drejtorin e Policisë, dhe përfaqësuesit nga sistemi prokurorial, pasi që fenomeni i dhunës në familje dhe femicidit është shqetësues dhe rëndues për shoqërinë tonë. Është alarmante që individë të shumtë shohin dhunën për tejkalimin e problemeve, që shpesh po përfundojnë me vrasjen e grave nga burrat e tyre, apo ish partnerët. Me plot bindje e them që ky fenomen është armik i brendshëm me rrezik të madh. Këto sjellje barbare shkatërrojnë edhe jetën e familjeve të tyre, dhe shoqërisë në tërësi. Nga viti 1999 që prej atëherë e deri më sot Kosova shënon 99 gra të vrarë nga burrat apo partnerët e tyre, si vrasje që buruan nga dhuna në familje”, tha Haxhiu.

Në konferencë për media pas takimit me udhëheqësit e institucioneve të sigurisë e drejtësisë, Haxhiu tregoi propozimet ndaj këtij femicidi.

Propozimet e tyre ishin që të nënshkruhet kontrata e mbikëqyrjes elektronike, të ashpërsohen dënimet për armëmbajtje pa leje, dhunuesi të largohet nga shtëpia dhe viktima me fëmijët të qëndrojnë në shtëpi, mos të ketë vendime me procedurë të rregullt, të obligohet ministria e shëndetësisë për rastet e narkotikëve dhe shumë adresime të tjera.

Ministrja e Drejtësisë theksoi se janë mbi 200 raportime në baza mujore në Policinë e Kosovës për dhunë të burrave ndaj grave.

Ajo poashtu dënoi ashpër gjuhën e urrejtjes në rrjete sociale, si në rastin e 21-vjeçares në Ferizaj, e poashtu edhe në rastin e sotëm në Pejë, derisa kërkoi që një gjë e tillë të monitorohet.

Haxhiu tha që institucionet e drejtësisë të veprojnë dhe të mos neglizhojnë as edhe një rast të vetëm të dhunës në familje.

Haxhiu: Mbi 200 raportime në baza mujore raportohen në Policinë e Kosovës të dhunës së burrave ndaj grave

“Mbi 200 raportime në baza mujore raportohen në Policinë e Kosovës të dhunës së burrave ndaj grave. Fatkeqësisht është tejet serioze, fakti i gjuhës së urrejtjes nga qyetarët në rrjete sociale, e dënoj ashpër. Fakt që na bën të mendojmë se ajo trajtohet si çështje e normalizuar. Njësoj kishim gjuhë të urrejtjes edhe para katër ditëve, e edhe sotëve, duke pasur paragjykim të viktimave. Bëj thirrje, edhe pse mund të kritikohem, që me kujdes të veçantë të monitorohet kjo gjuhë që po përdoret në rrjete sociale, është nxitëse. Ndaj këtyre fenomneve nuk mund të jemi spektaktorë, ndaj me urgjencë duhet të veprojmë për të promovuar tolerancë e respekt. Institucionet e drejtësisë të veprojnë duke mos neglizhuar as edhe një rast të vetëm të dhunës në familje, sepse kur po kemi raste të mos veprimeve ku shteti vetë dhunuesin po e shndërron në vrasës. Këto statistike tregojnë për një gjendje të rënduar të vetdijes së këtyre personave, që nuk njohin zgjidhje tjetër, përveç dhunës. Këto veprime janë të patolerueshme”, tha tutje Haxhiu.

Haxhiu bëri thirrje që secili prokurorë e gjyqtarë e kushdo që ka përgjegjësi, të marrin detyrën me përgjegjësinë më të lartë.

Pas konferencës për media, Haxhiu do të takohet me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat