Shqiptarët pos në Serbi, bllokohen edhe në Hungari - MPJD njofton QUINT-in

Aktuale

Shqiptarët pos në Serbi, bllokohen edhe në Hungari - MPJD njofton QUINT-in

Më: 17 prill 2024 Në ora: 12:19
Makina duke pritur në radhë në Merdare, pikëkalimin kufitar që lidh Kosovën dhe Serbinë. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se qytetarët që po vinin në drejtim të Kosovës, pos Serbisë, janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, te Dheu i Bardhë.

Sipas njoftimit, ata nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas.

“Më 16 prill, në orët e vona, pak orë pas votimit në favor të Kosovës të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, institucionet tona janë njoftuar, që në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci, autobusë të operatorëve të ndryshëm të Republikës së Kosovës, të cilët duhej të kalonin tranzit nëpër Serbi, ishin ndaluar nga autoritetet kufitare të Serbisë. Qytetarët e Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë dhe nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Në komunikatë poashtu bëhet e ditur se të gjithë udhëtarëve u janë marrë dokumentet personale si dhe ato të autobusëve. Po ashtu, disa prej tyre janë marrë dhe po vazhdojnë të merren në pyetje.

Pas veprimeve arbitrare të Serbisë, institucionet tona, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar shtetet e QUINT-it, Institucionet e BE-së dhe të tjera ndërkombëtare rreth kësaj situate dhe presim që kjo situatë të përfundojë shpejtë.

“Apelojmë tek të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi dhe të ndjekin me vëmendje situatën. Duke marrë parasysh faktin që në qarkullim janë shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës dhe kaosit, ju lusim të ndiqni @Kosovo_Police rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim. Ky veprim hakmarrës, i paralajmëruar para pak ditësh nga vet presidenti i Serbisë Vuçiq, i cili vjen pas dështimit të propagandues kundër anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, duhet të marrë urgjentisht përgjigjen e merituar nga bashkësia ndërkombëtare”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat