​Studentët protestojnë për të disten herë para rektoratit të UP-së, ndërhyn Policia

Aktuale

​Studentët protestojnë për të disten herë para rektoratit të UP-së, ndërhyn Policia

Më: 17 prill 2024 Në ora: 15:40
Foto ilustrim

Lëvizja Feministe Studentore edhe sot ka protestuar para rektoratit të Universitetit të Prishtinës, për ngacmimet seksuale nga profesori i Fakultetit të Edukimit, Xhevat Krasniqi, në të njëjtën kohë kur është mbledhur edhe Këshilli i Etikës së UP-së.

Studentët u lejuan që të hynë në mbledhjen e Këshillit, por edhe sot nuk është marrë një vendim për Krasniqin.

Në momentin që ka përfunduar mbledhja, studentët kanë bllokuar derën dhe nuk kanë lejuar anëtarët e Këshillit të dalin jashtë derisa të përjashtohet Krasniqi. Brenda së bashku me anëtarët dhe stafin e UP-së, kishin ngecur edhe dy zyrtarë policorë.

Më pas Policia e Kosovës është detyruar që t’i largojë me forcë studentët.

Anëtarja e Lëvizjes Feministe Studentore, Anita Mjeku, ka thënë se gjatë mbledhjes së Këshillit të Etikës, ata kanë deklaruar se Krasniqi po dyshon që nëntë nënshkrime janë falsifikuar, dhe nuk po u besojnë dëshmitareve, duke kërkuar që të rishikohen nënshkrimet e ligjëratave.

Mjeku: Herën e kaluar edhe sot protestuesit student janë duke përfunduar në emergjencë

“Herën e kaluar edhe sot protestuesit studentë janë duke përfunduar në emergjencë. Ne iu bëjmë thirrje Këshillit të Etikës që sa herë të kanë mbledhje ne do të jemi aty, deri në përjashtim të Xhevat Krasniqit... Policia e Kosovës na trajton neve si kriminele e kriminelë, pse nuk po i lejojmë anëtarët e Këshillit të Etikës me dal... Gjatë mbledhjes që ata janë thirr me i marrë deklaratat e çikave, kanë thënë që po dyshon Xhevati që nëntë nënshkrime janë falsifikuar, nuk po iu besojnë historisë së çikave, po dëshirojnë edhe njëherë me i verifikuar nënshkrimet, në asnjë moment nuk thanë ngacmim seksual, thanë gjuhë e papërshtatshme .. Ne jemi duke folur për një recidivist, një njeri me të kaluar kriminale, për një person që ka histori si ngacmues seksual”, ka thënë Mjeku.

Lëvizja Feministë Studentore ka paralajmëruar se protestat e tyre nuk do të ndalen derisa Xhevat Krasniqi të shkarkohet nga pozita e profesorit në Universitetin e Prishtinës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat