Vrasjet e grave, Osmani kërkon masa ndaj prokurorëve e gjykatësve që dënojnë e gjykojnë në shpërputhje me Kodin Penal

Aktuale

Vrasjet e grave, Osmani kërkon masa ndaj prokurorëve e gjykatësve që dënojnë e gjykojnë në shpërputhje me Kodin Penal

Më: 17 prill 2024 Në ora: 17:15
Foto nga takimi

Presidentja Vjosa Osmani, ka mbajtur sot takim me Kryesuesin e KGjK-së, Albert Zogaj, zëvendësin e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, dhe Koordinatoren Nacionale për rastet e dhunës në familje nga Zyra e Kryeprokurorit të shtetit, Sevdije Morina.

Sipas njoftimit që ka lëshuar Presidenca, në takim, Osmani ka ripërsëritur “shqetësimin e thellë” lidhur me fenomenin alarmues të vrasjes së grave, si dhe nevojën urgjente që të zbatohen me përpikëri dispozitat ndëshkuese të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Gjithashtu, Presidentja Osmani shtroi nevojën që të zbatohet edhe udhëzuesi për politikën ndëshkimore në rastet e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore, si dhe të punohet në drejtim të ashpërsimit të kësaj politike”, thuhet në njoftim.

“Në këtë drejtim, Presidentja Osmani u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë që urgjentisht t’i ndërmarrin të gjitha masat sipas legjislacionit në fuqi për prokurorët dhe gjyqtarët, të cilët shqiptojnë dënime dhe shpallin aktgjykime të cilat nuk janë në përputhje me Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe udhëzuesin për politikat ndëshkimore”.

Gjithashtu, në përvjetorin e 25- të masakrës së Poklekut dhe Çikatovës së Vjetër, Osmani i bëri thirrje institucioneve të drejtësisë që urgjentisht të merren në pyetje të mbijetuarit e këtyre masakrave në mënyrë që të vendoset drejtësia për viktimat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat