Kurti: Mbështetja e para dy ditëve, thirrje e qartë që Komiteti i Ministrave të na ftojë për t’iu bashkuar KiE në maj

Aktuale

Kurti: Mbështetja e para dy ditëve, thirrje e qartë që Komiteti i Ministrave të na ftojë për t’iu bashkuar KiE në maj

Më: 18 prill 2024 Në ora: 11:31
Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti e nisi mbledhjen e sotme të Qeverisë duke thënë se Kosova arriti një sukses të jashtëzakonshëm pardje, kur mori PO-në e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për anëtarësim në këtë organizatë.

Kurti tha se “faktet” dhe “mbështetja e fuqishme para dy ditëve” janë “thirrje të qarta për Komitetin e Ministrave që ta trajtojnë aplikimin tonë në muajin maj dhe që Kosova ta pranojë ftesën për t’iu bashkuar Këshillit të Europës po atë muaj”.

Ai tha se nga anëtarësimi i Kosovës në KiE do të përfytojnë qytetarët, ndërsa theksoi se “përfituesit më të mëdhenj do të jenë pikërisht komunitetet joshumicë dhe grupet e marxhinalizuara të shoqërisë”.

Paraprakisht, Kurti përmendi se si “edhe pse kishim nevojë për 2/3 e votave në favor, pra, afër 67%, ne i arritëm 82% të votave në favor”.

“Kjo është një shenjë e qartë e vitalitetit dhe angazhimit të suksesshëm të diplomacisë së Republikës së Kosovës. Për këtë, edhe një herë nga kjo sallë dua ta falënderoj zëvendëskryeministren dhe ministren për Punë të Jashtme dhe Diasporë, zonjën Donika Gërvalla Schwarz”, tha ai.

Kurti tha se “suksesi i arritur në këto dy vitet e fundit në këtë proces bënë që argumentet në favor të anëtarësimit të Republikës së Kosovës të mos jenë vetëm tonat”.

“Sot konstatojmë që kjo e arritur e përbashkët e shtetit dhe qytetarëve na gëzon të gjithëve, për punën e kontributin e deritanishëm, por njëkohësisht edhe për mundësitë e reja që i kemi përpara”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat