Çka thuhet në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit për Akil Gjakovën, seanca mbahet sot

Aktuale

Çka thuhet në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit për Akil Gjakovën, seanca mbahet sot

Më: 18 prill 2024 Në ora: 13:19
Akil Gjakova

Prokuroria Themelore e Pejës ka kërkuar caktimin e paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj xhudistit Akil Gjakova, i dyshuar për “Dhunë në familje”, kurse seanca dëgjimore pritet të mbahet sot.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se nga kallëzimi penal i parashtruar nga Stacioni Policor në Pejë dhe provat tjera të bashkëngjitura, qëndron dyshimi i bazuar se i pandehuri Akil Gjakova, kishte kryer veprën penale “Dhunë në familje”.

Prokuroria thekson se nga momenti kur i pandehuri ishte thirrur nga ana e policisë për t’u deklaruar lidhur me rastin, përkatësisht nga 13 prilli 2024, kur i njëjti ishte kërkuar nga ana e policisë në shtëpinë e tij, por nuk ishte gjetur aty, atëherë ishte telefonuar nga zyrtari policor dhe i dyshuari i kishte thënë se “do të paraqitet me avokatin e tij në Stacionin Policor në Pejë”, mirëpo i njëjti nuk ishte paraqitur.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri ishte kërkuar sërish në shtëpi, por nuk është gjetur aty dhe prapë ishte thirrë nga zyrtari policorë, ku Gjakova thuhet se i ka thënë “do të paraqitet të hënën”, por kjo nuk kishte ndodhur dhe se zyrtarët policorë kishin shkuar tek shtëpia e tij dhe i kishin lënë ftesën të paraqitet në stacion policor, por pa sukses.

Edhe më 15 prill ishte kërkuar në shtëpi nga Policia por thuhet se s’kishte qenë aty dhe ftesën e kishte pranuar nëna e tij dhe më 16 prill ishte kërkuar nga Njësiti i Hetimeve, por nuk ishte gjetur dhe i ishte lënë sërish ftesa, të cilën sërish e kishte pranuar nëna e tij.

Atij thuhet se përmes anëtarëve të familjes i ishte kërkuar të paraqitet në Polici në të kundërtën do t’i publikohej fotoja për të kërkuar ndihmën e qytetarëve, por as pas kësaj thuhet se nuk është lajmëruar. Andaj, është bërë publikimi i fotografisë.

Në Dosjen e Prokurorisë, thuhet se i pandehuri Gjakova ishte arrestuar në pikën kufitare në Vërmicë më 16 prill në mbrëmje.

Andaj, thuhet se duke parë së i njëjti i ishte shmangur organeve të ndjekjes për disa ditë, duke mos e treguar vendndodhjen, duke gënjyer se do të paraqitet me avokat dy here, të cilën gjë nuk e ka bërë derisa është ndaluar nga Policia, ekziston rreziku real se me lënien në liri, mund të arratiset sërish dhe të bëhet e pamundur zhvillimi i procedurës penale.

“Propozimin nga pika 2.5.2 të nenit 163 lidhur me nenin 184 pika 1.2.2 të KPPRK-së, e bëjmë për shkakun se i njëjti nuk është deklaruar lidhur me të gjitha faktet që posedon kjo prokurori lidhur me veprën penale të kryer në vazhdimësi ndaj të dëmtuarës, të cilën e ka bashkëshorte dhe me të cilën e kanë një djalë, e poashtu duhet të merren në pyetje edhe familjarët e të pandehurit si dëshmitarë të cilët duhet të deklarohen me rastin, kështu që po që se i pandehuri mbetet të mbrohet në liri ekziston rreziku se i njëjti do të pengojë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar tek e dëmtuara S.Gj dhe dëshmitarët”, thuhet në kërkesë.

Sipas Prokurorisë, kërkesa bëhet duke marrë parasysh sjelljen e mëparshme të të pandehurit, faktin që nga viti 2023 i pandehuri thuhet se ishte duke e keqtrajtuar psiqikisht të dëmtuarën, duke ushtruar edhe dhunë fizike një herë ndaj të njëjtës, e cila kishte deponuar edhe disa fotografi që tregojnë lëndime të shumta trupore, e për të cilat nuk ka marrë fare tretman mjekësor.

Aty përmenden edhe mesazhet denigruese që pretendohet se i pandehuri ia ka dërguar të dëmtuarës dhe dhuna e vazhdueshme psikike ndaj saj dhe se më 13 prill thuhet se ajo bashkë me fëmijën u detyrua të qëndrojë në strehimore pasi Gjakova ia kishte mbyllur derën e shtëpisë dhe i kishte shkruar sms se gjësendet do t’ia dërgojë tek familja e saj.

Andaj, thuhet se nga rrethanat e krijuara Prokuroria thotë se për ta parandaluar përsëritjen e veprës penale dhe për të siguruar zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, kërkojnë paraburgimin e cila masë sipas tyre është adekuate për të siguruar praninë e të njëjtit në procedurë.

Ndryshe, të mërkurën, Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë konfirmoi se Gjakova është ndaluar në pikën kufitare në Morinë dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Xhudisti Gjakova, të martën u shpall në kërkim nga Policia e Kosovës, për veprën penale “Dhunë në familje”. Ai dyshohet se ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes.

Po atë ditë, Federata e Xhudos përmes një reagimi kanë thënë se dënojnë fuqishëm çdo formë dhune, por besojnë në pafajësinë e Akil Gjakovës.

“Federata e Xhudos e Kosovës dënon fuqishëm çdo formë dhune dhe jemi thellësisht të shqetësuar për ngjarjet e fundit në vendin tonë. Ne e kemi për prioritet të mbrojmë dhe të promovojmë barazinë gjinore, e cila është e vërtetuar me arritjet kulminante dhe përkrahjen e shkëlqyeshme të sportisteve tona. Ne besojmë në pafajësinë e Akilit dhe urojmë që organet e rendit të drejtësisë sa më parë të zbardhin rastin. Andaj ftojmë mediat të tregojnë maturi në trajtimin e këtij rasti dhe të ndalojnë njollosjen dhe gjykimin publik të një nga figurave që vazhdon të promovoj imazhin pozitiv të vendit tonë. Akili momentalisht ndodhet jashtë territorit të Kosovës, dhe do të dorëzohet menjëherë tek organet e rendit dhe të drejtësisë në momentin që do të arrijë në Kosovë”, thuhej në reagimin e Federatës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat