Rrëfimi i të mbijetuarës së Masakrës së Poklekut: Forcat serbe i vranë 53 veta brenda një dhome me bomba, pastaj i dogjën

Aktuale

Rrëfimi i të mbijetuarës së Masakrës së Poklekut: Forcat serbe i vranë 53 veta brenda një dhome me bomba, pastaj i dogjën

Më: 18 prill 2024 Në ora: 18:13
Elhame Muçolli

E mbijetuara e Masakrës së Poklekut, Elhame Muçolli ka rrëfyer ditën më të tmerrshme të jetës së saj, ku forcat serbe para syve ia ekzekutuan familjen e banorë tjerë brenda shtëpisë ku jetonin.

Atë kohë si 15-vjeçare, ajo i mban në mend në detaje se si një grup i paramilitarëve serbë kryen atë që e quan ajo si “krim mbi krim” më 17 prill të 1999.

“Më 17 prill në vitin 1999, në orët e hershme të mëngjesit, forcat ushtarake serbe sulmuan fshatin tonë. Ne u nisëm në drejtim të Drenasit, axha jonë na ka tregu se Pokleku po sulmohet. Forcat serbe për një kohë na kanë sulmu shtëpinë, e pastaj kanë pushu. Pastaj prap kanë sulmu, e aty e kem kuptu se shtëpia jonë është e vëzhguar prej tyre. Axha tërë kohën ka qenë duke vëzhguar prej katit të lartë të shtëpisë, i ka parë një grup prej policëve serbë. Ata erdhën na nxorën jashtë, dhe na numëruan. E pyesnin axhën tonë për UÇK-në. Pas një kohe axhën tim e kanë qitë para automatikut, e së bashku me një fqinj i kanë vra. Në dhomë ishim 59 persona, 6 kemi mbijetu e 53 i kanë ekzekutu. Pasi e kanë hedh bombën e dytë, kanë hyrë brenda i kanë shkelur me këmbë në gjoks, për të shikuar se a po lëviz dikush a është gjallë dikush”, ka thënë Muçolli.

Elhame Muçolli ishte bërë shkak që edhe familjet tjera të fshatit të largohen nga shtëpitë e tyre që të mos ta kishin fatin e njëjtë me të tyre.

“Kur kanë hedh bombë brenda shtëpinë, i ka ra në prehër gruas së axhës. Bomba e parë ka ra në gra e fëmijë, unë isha e shtrirë aty, e u ballafaqova me vdekjen. Aty mu ka kujtu këshilla e nënës time, se kur je në vështirësi kërko ndihmë prej zotit, aty zoti më ndihmoj dhe kam dalë nga dritarja. Ka pasur shumë bërtitma, shumë krisma, ishte shumë tmerr. Kur dola jashtë shtëpisë nuk dija se a të kthehem prap në shtëpi, apo të largohem. Aty ia ktheva shpinën shtëpisë, duke ecur e pash që isha plagosur në këmbë, në një çantë e kisha në çorape me të cilën e lidha këmbën. Tek shtëpia e parë që arrita, u thash që forcat serbe na kanë vra neve e duhet të largoheni ju, mezi i pata bindur që të largohen. Ka qenë shumë periudhë shumë e vështirë, derisa jam takuar me babain e axhën të cilët ishin pjesë e UÇK-së. 24 fëmijë prej moshës 6 muajsh, deri në moshën 16 vjeçare i kanë vra atë ditë, i kanë djeg më shumë se dy herë. Aty ka ndodh krim mbi krim”, ka rrëfyer e mbijetuara e masakrës së Poklekut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat