Osmani ‘urdhëron’ Vuçiqin: Viktimat e Millosheviçiqit janë këtu, merr pak kohë e kërkoju falje - SHBA e Rusia ‘kapen’ për Kosovën

Aktuale

Osmani ‘urdhëron’ Vuçiqin: Viktimat e Millosheviçiqit janë këtu, merr pak kohë e kërkoju falje - SHBA e Rusia ‘kapen’ për Kosovën

Më: 22 prill 2024 Në ora: 14:27 Përditësuar në ora: 19:57 më 22.04.2024
Presidentja Vjosa Osmani së bashku me Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muçollin dhe Shyrete Tairin.

Osmani e ashpër ndaj Vuçiqit: Viktimat e regjimit të Millosheviçiqit janë këtu, merr pak kohë e kërkoju falje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka qenë kritike tej mase ndaj presidentit serb, Aleksandar  Vuçiq, ajo i tha atij se duhet t’u kërkojë falje viktimave të luftës në Kosovë, duke përmendur katër heroinat Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muqollin dhe Shyhrete Tahirin, që ishin të pranishme sot në seancën e KS të OKB-së.

Po ashtu, ajo e ka pyetur Vuçiqin se a ndihet keq për të kaluarën që ishte pjesë e një kabineti qeveritar të ‘Kasapit të Ballkanit’, Sllobodan Millosheviq.

” Ajo çka deklaroi Vuçiq nuk është e vërtet. U ftoj të gjithëve të vizitoni Kosovën të shihni vet përparimin që kemi bërë demokracinë që është në zhvillim e sipër mund të kuptoni dhe vendosni nëse doni t’u besoni syve tuaj apo gënjeshtrave të tij”.

“Unë nuk fola për të kaluarën, unë fola për Kosovën. E tashmë Kosova e sotit është e ndërtuar mbi dhimbjet e së kaluarës për një arsye të vetme për shkak të mungesës së drejtësisë. Të gjithë e dimë dhe e kemi mëusar nga historia se paqja kërkon të përballemi me të kaluarën në këtë kuptim në vend që të shpërndajë propagandë Vuçiqi sot është dashtë të na tregoj se nëse ai se nëse është pajtuar se nuk duhet të ishte pjesë e atij regjimi që ka vrarë 150 mijë civilë. A ndihet keq për të kaluarën dhe gjenocidin që ka shkaktuar parlamenti i tij?”, ka thënë Osmani

“Viktimat e atij regjimi Vuçiq janë këtu, merr pak kohë kërko falje. Tregoju të gjithë nëse ke një shenjë të humanitetit që ka mbetur në ty”, ka thënë Osmani. 

Japonia: Personat e agresionit në Banjskë të dalin para drejtësisë

Shino Mitsuko, përfaqësuesja e Japonisë, ka bërë thirrje që të dalin para drejtësisë personat që kanë kryer agresionin në Banjskë.

“Ne pranojmë zhvillimet pozitive në Kosovë bazuar në zbatimin e ligjit, dhe stabilitetit relativ në mbarë regjionin. Ato çka ndodhën në tërësi dhe palët që i kanë kryer duhet të hetohen. Gjithashtu vëmë në pah rëndësinë e vazhdimit të palëve në dialog”.

“Japonia kërkon nga të dyja palët të përfshihen edhe më tej në dialogun e mbështetur nga Bashkimi Evropian”, ka thënë Mitsuko në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

ShBA-ja, Rusisë në KS të OKB-së: Nuk mund të ndryshoni historinë e intervenimit të NATO-s më 1999

Përfaqësuesi i ShBA-së në KS të OKB-së, Robert Wood, i kërkoi kolegut të tij rus, Vitaly Nebenzia, që të mos tentojë të ndryshojë historinë.

Këtë ai e ndërlidhi me kërkesën që Rusia e kishte bërë për një seancë në lidhje me sulmet e NATO-s ndaj Serbisë, kërkesë e cila ishte refuzuar dy herë.

Edhe në seancën e sotme ku po diskutohet raporti gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për punën e misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK), Nebenzia hodhi akuza ndaj NATO-s.

“Operacioni ‘Alied Forces’ i 1999 ka qenë i domosdoshëm dhe legjitim për tërheqjen e forcave serbe të Millosheviqit nga Kosova dhe për të parandaluar spastrimin etnik në Kosovë. Operacioni ‘Allied Forces’ ishte mundësia e fundit për të parandaluar spastrimin etnik, për t’ju përgjigjur komenteve nga përfaqësuesi i Federatës Ruse sa i përket takimit të propozuar për operacionet e NATO-s para 25 vitesh. Federata Ruse është thjeshtë e hidhëruar meqë Këshilli e pa se po mundoheni ta kidnaponi këtë organ, të propagoni një version të ndryshuar të historisë. E këshilloj kolegun tim rus: duhesh t’i tejkalosh këto gjëra”, deklaroi zëvendëspërfaqësuesi i Përhershëm i SHBA-së në OKB Robert Wood. 

Britania e Madhe: E mbështesim Kosovën në aspiratat për integrim

Britania e Madhe ka deklaruar se është mbështetëse për aspiratat e Kosovës në integrimin evropian, duke i kërkuar njëkohësisht zbatimin e dakordimeve me Serbinë në Bruksel.

Përfaqësuesi i Britanisë në Këshill të Sigurimit i ka bërë thirrje Serbisë që t’i mbajë në përgjegjësi kryerësit e sulmit në Banjskë në shtatorin e 2023-s.

“Lista Serbe e akterë të tjerë s’duhet të qëndrojnë në rrugën e serbëve që jetojnë në Kosovë…”, është shprehur ai.

Rusia i fryn zjarrit: Situata në Kosovë, shumë shqetësuese për neve

Përfaqësuesi i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzia, tha se situata në Kosovë dhe rajon është “shumë shqetësuese për neve”.

“Situata vazhdon të përkeqësohet”, ka thënë ai, teksa ka vazhduar me ofendime ndaj shtetësisë së Kosovës, duke e quajtur kryeministrin Albin Kurti si “të ashtuquajtur”.

Kjo politikë e fryrjes së zjarrit për situatën e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në veçanti në Kosovë, po vazhdon që kur Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës.

Më tej, ai ka bërë pretendime se situata për serbët në Kosovë “është e pasigurt”.

Nebenzia tha se Kosova po e pengon dialogun me Serbinë, “derisa Serbia të njohë kuazi-shtetësinë e Kosovës”.

Kjo politikë, tha ai, po mbështetet nga ShBA-ja.

Këto komente, përfaqësuesi i Rusisë i bëri në seancën e rregullt për situatën e sigurisë në Kosovë  në KS të OKB-së.

Zvicra i kërkon Serbisë të mos e bllokojë Kosovën, e Kosovës të themelojë Asociacionin

Përfaqësuesja e Zvicrës në Këshillin e Sigurimit ka kërkuar nga të dy palët t’i realizojnë premtimet e tyre.

Në fjalën e saj, ajo i bëri thirrje Serbisë të mos e pengojë Kosovën në anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“I bëjmë thirrje Serbisë që të heq çdo paqartësi në lidhje me përkushtimin e saj ndaj marrëveshjeve dhe të përmbahet nga kundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare”, tha përfaqësuesja e Zvicrës.

Po ashtu, ajo i kërko Kosovës “themelimin e Asociacionit pa vonesa”.

Zvicra kërkoi ndërtim të marrëdhënieve konstruktive mes dy vendeve.

“Të dy palët ndajnë përgjegjësi për uljen e tensioneve. Eskalimet si ajo e Banjskës duhet të shmangen me çdo kusht dhe përgjegjësit duhet të sillen para drejtësisë”, deklaroi ajo.

Për votimin e djeshëm, përfaqësuesja e Zvicrës tha: “Zvicra ndjen keqardhje që komuniteti serb nuk mori pjesë. Inkurajojmë qeverinë e Kosovës të shtojë përpjekjet për integrimin e pakicës serbe në shoqëri”.

Franca: Normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi është urgjente

Temë e kësaj seance të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ishte situata në Kosovë.

Ambasadori i Francës në OKB Nicolas de Rivière, tha se duhet urgjentisht që të ketë normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo do të sigurojë stabilitet në rajon dhe është një kusht i pashmangshëm për bashkangjitjen në Evropë që e kanë zgjedhur të dyja vendet”, tha ai.

Ai tha se marrëveshja e arritur mes dyja vendeve para një viti është më ambiciozja dhe duhet të sigurohet zbatimi i saj.

“Franca mirëpret veprimet që janë marrë nga dyja palët, përkushtimin nga ana e Serbisë për njohjen e targave në fundin e vitit të kaluar, por edhe zbatimin e vendimin për Manastirin e Deçanit nga ana e Kosovës. Këto janë lëvizje inkurajuese”, tha diplomati francez.

Ambasadori francez në OKB tha se duhet të lëvizet drejt formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, që sipas tij po zgjatë shumë.

Dështimi i referendumit në veri, SHBA: Kryetarët aktual mbesin në funksion

Shtetet e Bashkuara të Amerikës në lidhje me dështimin e referendumit “për ose kundër” dorëheqjes së kryetarëve në veri kanë vlerësuar “përpjekjet e autoriteteve zgjedhore të Kosovës që t’u mundësojnë të gjithë qytetarëve të Kosovës të regjistrohen si pjesëmarrës në këtë proces”, derisa kanë shtuar se kryetarët aktual mbesin.

“Dje Kosova mbajti votim për largim të kryetarëve në komunat veriore. Kishte dalje të pakët të njerëzve në votim. Neve na vjen keq që disa aktorë politikë nuk e shfrytëzuan plotësisht mjetin demokratik në duar e tyre nën ligjin kosovar.

Vlerësojmë përpjekjet e autoriteteve zgjedhore të Kosovës që t’u mundësojnë të gjithë qytetarëve të Kosovës të regjistrohen si pjesëmarrës në këtë proces.

E dimë që s’ka vendim nga votuesit për të larguar kryetarët dhe ata mbeten në atë funksion sipas kornizës ligjore të Kosovës”, deklaroi Robert Wood, përfaqësuesi i ShBA-së në KS të OKB-së.

SHBA “godet” Serbinë: Nuk ka bërë asnjë përpjekje për t’i gjetur sulmuesit e Banjskës

Në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara është diskutuar situata në Kosovë.

Aty foli edhe zëvendëspërfaqësuesi i Përhershëm i SHBA-së në OKB Robert Wood.

Wood tha se Serbia nuk e ka ndërmarrë asnjë përpjekje për t’i gjetur përgjegjësit e sulmit të Banjskës më 24 shtator.

“Liderin e proklamuar të serbëve Milan Radoiçiq. Është kritike që Serbia të punojë me KFOR-in për ta parandaluar edhe një sulm tjetër sikur ai i shtatorit të vitit 2023”, tha ai në fjalimin e tij.

Wood foli edhe rreth ndalimit të qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe në kufirin me Kroacinë javën e kaluar, duke shprehur shqetësimin e madh.

“Jemi të shqetësuar me mungesën e lirisë së lëvizjes për qytetarët e Kosovës që po hynin në Serbi, përfshirë edhe serbët që shërbejnë në Policinë e Kosovës”, tha Wood.

Përfaqësuesi i ShBA-së tha se e sheh këtë si kërcënim për serbët që duan të integrohen në jetën publike në Kosovë.

Osmani: Personat që e kryen sulmin në Banjskë enden të lirë në Serbi

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se ende në Serbi janë duke u endur të lirë personat që e kanë kryer sulmin në Banjskë të 24 shtatorit vitin e kaluar.

Ajo, në seancën e OKB-së, ka theksuar se këta persona po marrrin edhe të holla nga institucionet serbe.

“Fatkeqësisht, autorët si të agresionit të shtatorit kundër Kosovës ashtu edhe të sulmit të majit kundër NATO-s enden lirisht nëpër Serbi edhe sot e kësaj dite. Ata jo vetëm që nuk janë dënuar, por vazhdojnë të marrin kontrata financiare fitimprurëse nga askush tjetër përveç qeverisë së Vuçiqit. Ajo që është shumë e qartë janë përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për të prishur procesin e integrimit në Kosovë, duke përdorur taktika kriminale dhe terroriste për të ushtruar kontroll dhe përhapur frikë, duke dëmtuar kështu sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”.

“Serbët që ishin integruar në institucionet e Republikës së Kosovës u detyruan të japin dorëheqje për shkak të presionit të ushtruar nga strukturat ilegale të Serbisë. Sulmet ndaj pronave të tyre, shkatërrimi dhe rreziqet për jetën e tyre, me qëllim që t’i detyrojnë ata të largohen nga institucionet e Kosovës, janë skenarë të shpeshtë që thirren ndaj atyre që refuzuan të japin dorëheqje nga institucionet e Kosovës. Pra, po, serbët janë nën presion, por jo nga Qeveria e Kosovës por nga Qeveria e Serbisë. Imagjinoni, një politikan serb që vendosi lule në varrin e një vajze 7 vjeçare kosovare të vrarë gjatë luftës, u arrestua menjëherë dhe u torturua në burgjet serbe. Dhe ky është fati i çdo serb që e mban rreptësisht linjën e Vuçiqit. Personat e dyshuar për sulmin në Banjskë sillen lirshëm nëpër Serbi po vazhdojnë të marrin kontrata të mëdha financiare nga Qeveria e Vuçiqit”, ka thënë Osmani.

E para vendit përmendi edhe kosovarët që janë ndaluar në pikat kufitare të Serbisë me Kroacinë dhe Hungarinë një ditë pasi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës u votua pro Kosovës.

“Vetëm javën e kaluar, menjëherë pas suksesit të jashtëzakonshëm të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Serbia përshkallëzoi tensionet duke synuar autobusët që transportonin qytetarë të Kosovës, duke përfshirë shqiptarë dhe serbë që punojnë në institucionet e Kosovës. Ata konfiskuan dokumente personale dhe i morën në pyetje qytetarët, duke lënë pasagjerët, përfshirë fëmijët e vegjël pa ushqim, ujë ose shërbime mjekësore për një kohë shumë të gjatë. Veçanërisht, Dejan Jankoviq, zëvendësdrejtor serb i Policisë së Kosovës, u ndalua, së bashku me policët e tjerë, duke theksuar përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për të frikësuar dhe minuar serbët e Kosovës që punojnë në institucione”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat