Britania shpreh keqardhje për votimet në veri: Kryetarët do të vazhdojnë t’i kryejnë detyrat e tyre

Aktuale

Britania shpreh keqardhje për votimet në veri: Kryetarët do të vazhdojnë t’i kryejnë detyrat e tyre

Më: 22 prill 2024 Në ora: 17:33
Foto ilustrim

Të dielën në katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, u zhvillua procesi i votimit ku të gjithë qytetarët e këtyre komunave patën mundësinë të shprehin vullnetin e tyre për largimin ose jo të kryetarëve të tyre të zgjedhur një vit më parë.

Ky proces, megjithatë, dështoi si pasojë e pjesëmarrjes së ulët të votuesve.

Lidhur me zhvillimin e këtij procesi është deklaruar edhe Ambasada Britanike në Kosovë.

Në një përgjigje për klanin, kjo ambasadë kritikon thirrjet për bojkot të referendumit që u bënë nga ana e Listës Serbe paraprakisht.

Por, tutje në përgjigje thuhet se rezultati i këtij votimi tregon se kryetarët aktualë do ta vazhdojnë punën e tyre në shërbim të komuniteteve.

“Na vjen keq për vendimin e Listës Serbe dhe një numri politikanësh të pavarur serbë të Kosovës për të bojkotuar votimet e djeshme për tërheqjen e kryetarëve të komunave. Bojkoti është një pengesë për demokracinë përfaqësuese. Megjithatë, votimi u zhvillua në mënyrë të sigurt dhe në përputhje me ligjin. Rezultatet nënkuptojnë se katër kryetarët e komunave do të vazhdojnë t’i kryejnë mandatet e tyre dhe ne i nxisim ata të kryejnë detyrat e tyre duke pasur parasysh nevojat dhe interesat e komuniteteve të tyre”, thuhet në përgjigjen.

Ky proces po llogaritet i dështuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Sipas ligjit, për të kaluar kjo iniciativë ishte dashur të votonin 50% e votuesve të regjistruar plus 1 votë.

Lidhur me procesin, reagim ka pasur edhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ajo e Gjermanisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat