“Kurti zbaton agjendën e Moskës”, Haradinaj me akuza të rënda: Vuçiqit i intereson ta mbajë në krye

Aktuale

“Kurti zbaton agjendën e Moskës”, Haradinaj me akuza të rënda: Vuçiqit i intereson ta mbajë në krye

Më: 23 prill 2024 Në ora: 10:43
Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti

Në një intervistë ekskluzive për Top Story, Ramush Haradinaj ka folur me tone të ashpra dhe ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Albin Kurti.

Ai ka deklaruar se me veprimet që bën Kurti, i krijon hapësirë Serbisë që të rrezikojë territorin kosovar. Ai tha se Aleksandar Vuçiçit i intereson që në pushtet të jetë Kurti.

Haradinaj shkoi më tej kur tha se Albin Kurti po bën çdo gjë që të largojë aleatët e sigurisë nga Kosova dhe se burimi i agjendës së tij është në Moskë, dhe zbatohet nga ky i fundit.

“Ajo që i ka ndodh Kosovës është më e keqja që ka mundur t’i ndodhë. Ata që erdhën në pushtet duke e shfrytëzuar popullin jo duke i shërbyer, e vazhduan këtë logjikë dhe në pushtet. Çdo agjendë e vunë në shërbim të popullaritetit të tyre dhe jo të Kosovës.

Serbia e ka në doktrinë të vetën dhe interesimin ndaj serbëve të Kosovës, dhe këtë e kanë shpërndarë në të gjithë misionet e veta. Kanë dhe një hapësirë brenda institucioneve të tyre që e shfrytëzojnë dhe rusët.

Edhe pse Serbia është palë për anëtarësim në BE, etj, Rusia ka akses. Serbia do e kishte të pamundur të ndërmerrte çdo lloj veprimi, sikur Kosova të mos i bënte gabimet e veta. Ndihmën më të madhe Vuçiçit dhe palëve që duan të na rrezikojnë, ia jep Kurti dhe qeveria e tij, më veprimet dhe gabimet që ajo u krijon atyre argumente dhe hapësirë.

Vuçiçit i intereson të mbajë Kurtin në pushtet në Prishtinë, sepse atij i arsyetohen veprimet, qofshin ato më të rrezikshmet. Ju e patë që nuk morën ndëshkimin e merituar për sulmin në Banjskë. Pra sjellja jonë i krijon hapësirë manovruese Vuçiçit, deri në mundësinë për të na rrezikuar prapë”, deklaroi ai.

“Kurti ka agjendë, me kriju një hendek mes nesh dhe aleatëve të sigurisë. Nuk bëhet kjo pa agjendë. Ai shpik çështje të tilla që Kosova të largohet më shumë nga aleatët e sigurisë, që ta lërë pa përkrahje dhe t’ia bëjë më të lehtë Serbisë Kosovën. Këto janë strategji që mendoj se burimin e kanë në Moskë dhe i zbaton Kurti’, u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat