Qeriqi pohon në Hagë se kishte polici ushtarake në batalionin e tij

Aktuale

Qeriqi pohon në Hagë se kishte polici ushtarake në batalionin e tij

Më: 23 prill 2024 Në ora: 12:22
Ramiz Qeriqi

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës vazhdon dëshminë e tij dëshmitari i 55-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Ramiz Qeriqi në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Dëshmitari Qeriqi ka deklaruar se në batalionin e dytë të Brigadës 121 ku bënte pjesë ai, kishte polici ushtarake. Ish-pjesëtari i UÇK-së ka thënë se në batalione të UÇK-së ka pasur polici ushtarake, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, dëshmitarit iu prezantua një rregullore e UÇK-së në të cilën sipas prokurores Silvia D’Ascoli thuhej se dëshmitari ia kishte dhënë edhe ushtarëve të tij. Sipas këtij dokumenti, thuhej se flitej edhe për policinë ushtarake dhe rolin e saj e po ashtu edhe sjelljet e tyre sa i takon popullatës civile, e të tjera.

Dëshmitari e ka konfirmuar se sipas rregullores, policia ushtarak kontrollonte lejet e udhëtimit, lejet e njerëzve, arrestimet dhe i dërgonin ushtarët në drejtim të brigadës. Ramiz Qeriqi ka thënë se në batalionin e tij kishte deri në shtatë anëtarë në policinë ushtarake.

Dëshmitari ka thënë se policia ushtarake ka filluar të funksionojë nga fundi i majit dhe fillimi i qershorit 1998. Po ashtu, ka pohuar  se komandanti i policisë ushtarake në nivel të brigadës ishte Haxhi Shala i njohur me nofkën “Topi”.

Sipas tij, policia ushtarake kishte të drejtën që të arrestojë edhe komandantë të batalioneve në rast të shkeljes së rregullave.

Para nisjes së dëshmisë, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III shfuqizoi vendimin e 4 prillit lidhur me kërkesat për mospjesëmarrjen fizike të të akuzuarve në sallën e gjyqit. Trupi gjykues mori vendim që kërkesat e tilla duhet të bëhen 48 orë para seancës për të cilën është duke u kërkuar leja me përjashtim të rasteve të veçanta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat