Sveçla pret në takim delegacionin çek, diskutojnë për situatën aktuale të sigurisë

Aktuale

Sveçla pret në takim delegacionin çek, diskutojnë për situatën aktuale të sigurisë

Më: 24 prill 2024 Në ora: 15:08
Foto nga takimi

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pritur në takim delegacionin nga Republika e Çekisë, i prirë nga Tomáš Czernin, nënkryetar i Senatit të Parlamentit dhe Pavel Fischer, kryetar i Komisionit për punë të Jashtme, siguri dhe mbrojtje.

Sveçla e ka falënderuar Republikën e Çekisë për mbështetjen e vazhdueshme për Republikën e Kosovës.

“Prezantova angazhimet tre vjeçare të Qeverisë sonë veçanërisht në fushën e sigurisë publike, luftën ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, kontrabandës, trafiqeve të ndryshme dhe terrorizmit. Diskutuam për situatën aktuale të sigurisë dhe për sfidat e vazhdueshme të shkaktuara nga Serbia e cila vazhdon të ketë aspirata territoriale ndaj vendit tonë”, ka shkruar Sveçla.

Ministri i Brendshëm e ka falënderuar këtë delegacion edhe për reagimin publik në dënimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij sulmi.

“Z. Fischer në emër të delegacionit të Republikës së Çekisë falënderoi për mikpritjen dhe përgëzoi për angazhimin e vazhdueshëm që pavarësisht sfidave të njëpasnjëshme kemi arritur të kemi suksese në prioritetet tona”, ka shkruar ministri.

Tutje bëhet e ditur se të dyja palët kanë shprehur gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit në fushën e sigurisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat