Raporti i “Freedom House”, reagon Ymeri

Aktuale

Raporti i “Freedom House”, reagon Ymeri

Më: 24 prill 2024 Në ora: 16:38
Visar Ymeri

Organizata “Freedom House” me seli në Uashington, ka publikuar sot raportin vjetor për Kosovën në të cilin vlerësohet se Qeveria aktuale e Kosovës, dukshëm nuk ka arritur të përmirësojë funksionimin e brendshëm të shtetit apo zbatimin efektiv të reformave. Ky raport po e konsideron korrupsionin si një çështeje shqetësuese dhe mjaft serioze rreth luftimit të të cilit rezultatet e Qeverisë kanë qenë të kufizuar.

Analisti politik Visar Ymeri e ka cilësuar si tejet shqetësues raportin e “Freedom House”. Sipas tij Kosova aktualisht po shihet si një shtet që ka korrupcion serioz qeveritar, që ka demokraci hibride, ka sulme ndaj fjalës së lirë dhe lirisë së gazetarëve, dhe nuk ka vullnet për respektim të të drejtave të njeriut.

“Freedom House ka qenë një prej organizatave raportet e të cilave eksponentë të qeverisë, e veçanërisht Kryeministri Kurti, i ka cituar gjërësisht kur kishte vlerësime positive për Kosovën. Natyrisht që Freedom House është organizatë tejet kredibile për punën që bën, dhe raportet e tij merren seriozisht nga shtetet demokratike të Perëndimit. Kosova aktualisht po shihet si një shtet që ka korrupcion serioz qeveritar, që ka demokraci hibride, ka sulme ndaj fjalës së lirë dhe lirisë së gazetarëve, dhe nuk ka vullnet për respektim të të drejtave të njeriut. Kjo është tejet shqetësuese”, tha ai.

Ymeri tha se Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Freedom House, nuk përfshijnë gjëra në raport dyshimin për të cilat nuk e kanë të bazuar dhe se ka pasur një sulm të parecedent publik prej pushtetit ndaj që ka ngritu zërin për këto afera. Sipas tij kryeministri Kurti ka nisur një “gjueti shtrigash” kundër gjyqësorit në mbrojtje të personave nën hetime.

“Është e qartë që gjatë vitit 2023 jemi ballafaquar me informata të ndryshme nga Sinjalizuesit përmes mediave të aferave të korrupcionit për qeverinë Kurti. Natyrisht një pjesë e tyre janë bërë pjesë e diskutimit publik. Konstatimi i këtyre dyshimeve nga raportet kredibile ndërkombëtare e shtojnë më shumë dyshimin për to dhe tregojnë se në të vërtetë ajo për çka është folur e ngritur si çështje nga mediat dhe opoizita qëndron. Sepse këto institucione siç janë Department i Shtetit dhe Freedom House nuk përfshijnë gjëra në raport dyshimin për të cilat nuk e kanë të bazuar. Në anën tjetër kemi pasur reagime histerike nga pushteti për t’i mbrojtur këto duke organizuar një sulm të paprecedent publik ndaj gjyqësorit, mediave, opozitës e kujtdo tjetër që ka ngritu zërin për këto afera. Një reagim i tillë nuk ndodh kur nuk ke çka të fshehësh. Ta zëmë Komisioni Hetimor për Rezervat Shtetërore është bllokuar në mënyrë tejet të papërgjegjshme nga përfaqësuesit e pushtetit. Kryeministri ka nisur gjueti publike shtrigash kundër gjyqësorit (gjueti kjo e cila është kritikuar ashpër edhe në raportin e KiE për anëtarësimin e Kosovës) në mbrojtje të personave nën hetime. Të gjitha këto tregojnë se aferat e korrupcionit ka gjasë të jenë të dëshmueshme, dhe sigurisht të dënueshme. Dhe ka një dështim flagrant të qeverisë së pari për ta ndalur korrupcionin e pastaj për ta mundësuar ndëshkimin e tij”, tha Ymeri.

Lidhur me rastin e shkarkimit të Shemsi Hazirit nga pozita e shefit të Njësisë së Veçantë të Hetimeve (ish-Task Forcës kundër korrupsion), brenda Policisë së Kosovës, që udhëhiqte hetimet ndaj ambasadorit Martin Berishaj dhe Nagip Krasniqit që është cilësuar në raportin e “Freedom House” si çështje për shqetësim, që ka dërguar sinjale negative për opinionin në luftimin e korrupsionit, Ymeri tha se konstatime të tilla janë shumë të dëmshme për Kosovën sepse e pasqyrojnë si një shtet jashtëzakonisht jo demokratik.

“Gjëja e parë e rëndësishme është të theksohet se ky rast duket të jetë keqpërdorim flagrant i pozitës politike për ta penguar drejtësinë. Sepse shkarkimi i z. Haziri është bërë me qëllim të pengimit të procesit të hetimeve. Është një gjë që qeveria të besoj në pafajësinë e personave të emëruar nga ajo. Ama është shkelje e rëndë nëse përdoret pozita zyrtarë për ta penguar hetimin. Dhe duhet ndëshkuar si e tillë. Kur këto gjëra, shkelje, konstatohen nga Department i Shtetit, një raport i tillë sigurisht që e përcakton edhe atë se si ShBA e shohin qeverisjen dhe Kryeministrin Kurti. Mendoj që këto gjetje të raportit duhet të merren shumë seriozisht nga qeveria, por edhe ne si taksapagues e votues në këtë Republikë. Shtoja kësaj pastaj edhe konstatimin tjetër shumë të rëndë, i cili thotë që Qeveria nuk ka vullnet për respektimin e të drejtave të njeriut. Konstatimet e tilla janë shumë të dëmshme për Kosovën sepse ravijëzojnë një pasqyrë për Kosovën si shtet jashtëzakonisht jo demokratik”, thotë analisti Ymeri.

Kosova sërish është radhitur në grupin e regjimeve hibride, “demokraci tranzicionale”, në raportin e organizatës “Freedom House”.

Demokracia në Kosovë, sipas vlerësimeve dhe matjeve të kësaj organizate, nuk ka pësuar asnjë ndryshim. Kosova si në vitin paraprak edhe gjatë këtij viti është vlerësuar me plotë 3.29 pikë, në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është shkalla më e ulët e demokracisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat