Gjukanoviq godet pushtetin në Mal të Zi për votën kundër Kosovës në KiE

Aktuale

Gjukanoviq godet pushtetin në Mal të Zi për votën kundër Kosovës në KiE

Më: 24 prill 2024 Në ora: 17:05
Milo Gjukanoviq

Ish-presidenti dhe kryeministri malazez Milo Gjukanoviq në një intervistë për mediumin malazez Antena M , ka komentuar votën kundër që Mali i Zi pati për Kosovën në KiE.

Ai thotë se ky veprim, tregon qartë fillimin e heqjes së maskës europiane dhe shfaqjes së fytyrës së vërtetë antimalazeze.

I pyetur nëse pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe Rezoluta për Srebrenicën, e cila duhet të miratohet në OKB, është momenti kur të paktën një pjesë e qeverisë do të fillojë të heqë maskën evropiane, Gjukanoviq thotë se votimi në KiE tregon “se nuk ka homogjenizim të vërtetë në radhët e krijuesve dhe zbatuesve të politikës shtetërore në Mal të Zi”.

“Për më tepër, asnjëri prej tyre nuk kujdeset për interesat shtetërore të Malit të Zi. Sepse nëse do t’u interesonte, dhe po u interesonte marrëveshja e tyre e koalicionit, do të kujdeseshin për faktin që Mali i Zi e njohu Kosovën në 2008. Dhe do të kujdeseshin që në marrëveshjen e koalicionit të kenë deklaruar se do të ndjekin prioritetet e politikës së jashtme që përmban strategjia e zhvillimit shtetëror”, tha Gjukanoviq.

Ai beson se do të ishte gabim të pritet nga Perëndimi një “terapi shpëtimtare për të kuruar këtë kancer politik që po rëndon aktualisht Malin e Zi.

“Natyrisht, tashmë janë arritur disa çështje ku nuk është aq e lehtë të kamuflosh thelbin e dikujt anti-evropian dhe antimalazez”.

Sipas ish-presidentit malazez, gjithashtu shqetësim mbetet neglizhenca që po i bëhet Rusisë që ka nxitur politikën më retrograde në rajon, përkatësisht nacionalizmin dhe projektet e mëdha shtetërore.

“Ballkani Perëndimor po merret me të njëjtat çështje që trajtonte në vitet ’90. Mbrojtja e anëtarëve të supozuar të rrezikuar të kombeve të caktuara jashtë kufijve të vendeve të origjinës, duke shkatërruar kështu sovranitetin e vendeve fqinje, duke prishur marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe në thelb duke rrezikuar stabilitetin, pra perspektivën evropiane të rajonit”

Kujtojmë se më 27 mars, Maja Vukiqeviq, kryetare e delegacionit malazias në Komitetin për Politikë dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), votoi kundër propozimit që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

Vukiçeviq është anëtare e Partisë Popullore Demokratike (DNP) pro-ruse në parlamentin malazias, njëherësh deputete e ish-Frontit Demokratik, agjenda e të cilit përfshinte tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, heqjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe daljen e Malit të Zi nga Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).

Partia e saj e konsideron Kosovën si pjesë të Serbisë, duke e quajtur atë “shtet të rremë” dhe “territor të pushtuar përkohësisht”.

Kjo parti është pjesë e shumicës qeverisëse në Mal të Zi që nga ndryshimi i qeverisë në vitin 2020, kur u zëvendësua Partia Demokratike e Socialistëve, e cila njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat