Kjo është pasuria e profesorit të suspenduar Xhevat Krasniqi

Aktuale

Kjo është pasuria e profesorit të suspenduar Xhevat Krasniqi

Më: 24 prill 2024 Në ora: 17:24
Xhevat Krasniqi

Xhevat Krasniqi, profesori i pezulluar i Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës, ka deklaruar një total prej 150,830 euro pasuri të paluajtshme në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

Kjo shumë vjen së bashku me mbi 160 mijë euro para të gatshme në llogaritë e tij bankare, duke e bërë të ndër pasuritë e mëdha për një figurë akademike.

Krasniqi, i cili është denoncuar nga 27 studente për ngacmim seksual, u pezullua nga detyra më 23 prill 2024 nga Qerim Qerimi, rektori i Universitetit të Prishtinës, pasi Këshilli i Etikës së UP-së rekomandoi pezullimin e tij derisa të përfundojnë veprimet hetuese të Prokurorisë së Shtetit.

Ai ka deklaruar gjithashtu një veturë Volkswagen në vlerë prej 6,700 euro si dhe një sasi të konsiderueshme të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme.

Ndër pasuritë e paluajtshme të deklaruara, Krasniqi zotëron dy shtëpi me vlerë respektive 28,000 dhe 25,000 euro, një arë prej 18,000 euro dhe një pyll prej 8,000 euro të cilat të dyja i ka blerë, si dhe një truall dhe një oborr me vlera të deklaruara 12,000 dhe 47,770 euro.

Ai gjithashtu ka një rrugë me vlerën e deklaruar prej 12,060 euro, e cila është në pronësi të përbashkët.

Pasuria e tij e deklaruar përfshin një total prej 160,785.21 euro në llogari rrjedhëse, depozita dhe hua, me 525 euro të deklaruara si pronë e bashkëshortes dhe fëmijëve.

Prej këtyre parasë, ai ka deklaruar 130,000 euro nga ‘depozitë e afatizuar, kursime nga paga, pagesa, honorare, kompenzime, shërbime, financime, autorësi dhe vendime’, dhe 30,248.89 euro nga llogaria rrjedhëse për periudhën e vitit 2023.

Në deklarimin e të ardhurave vjetore personale, Krasniqi ka marrë një pagë neto nga UP në vlerë 1,471.31 euro si dhe të tjera të ardhura nga punime shkencore, përvojë pune, si dhe nga Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë dhe Ministrisë së Arsimit.

Pasuria e deklaruar e Krasniqit tregon një figurë komplekse të një profesori universitar, i cili tani përballet me akuza serioze të ngacmimit seksual dhe ndodhet nën hetimin e autoriteteve përkatëse, me pasurinë e tij personale dhe familjare që ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat