Deputeti i VV-së : Jam i bindur që korrupsionit i janë këputur rrënjët

Aktuale

Deputeti i VV-së : Jam i bindur që korrupsionit i janë këputur rrënjët

Më: 24 prill 2024 Në ora: 17:28
LVV

Gjatë kësaj jave janë publikuar dy raporte, njëri i Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut dhe tjetri i “Freedom Houese”.

Në dy raportet e organizatave ndërkombëtare është kritikuar qeveria aktuale lidhur me korrupsionin e lartë në Kosovë.

Për vitin 2023 në raportin e DASH-it për Kosovën është thënë se vendi ka probleme me korrupsionin e lartë.

Gjithashtu, edhe në raportin e publikuar në “Freedom Houese”, është vlerësuar se korrupsioni vazhdon të mbetet një çështje serioze shqetësuese në Kosovë.

Lidhur me dy raportet e publikuara janë deklaruar nga partia në pushtet.

Deputeti i Vetëvendosjes, Halil Thaçi u shpreh i bindur se korrupsionit në Kosovë i janë ‘këputur rrënjët’.

Ai vlerëson se korrupsioni as për një vit e dy nuk pastrohet.

Sipas tij, me kryeministrin dhe ministrat aktual korrupsioni nuk do të ekzistoj.

“Unë jam shumë i bindur se korrupsionit në Kosovë, kanë filluar të i këputin rrënjët. Jam i bindur se me këtë kryeministër dhe këta ministra nuk do të ketë korrupsion. Individ të ndryshëm kanë keqpërdor në pozitat e ndryshme ku kanë qenë, Nuk do të thotë që e kemi pastruar gjithë dhe nuk ndalet e as nuk pastrohet korrupsioni për një vit apo dy vite”, u shpreh Thaçi.

Deputeti i VV-së thotë se tre vite nuk mjaftojnë t’i shkëputën të gjitha rrënjët korrupsionit.

Sipas Thaçit, as kryeministri e ministrat deri tash nuk akuzohet për një gjë të tillë.

Nëse sheh diku korrupsion, Thaçi thotë se do të dërgoj tek organet përgjegjëse.

“Për tri vite nuk kemi arrit që ta ndryshojmë gjithë administratën edhe sigurisht që korrupsioni, ka pasur rrënjë në Kosovë, kemi filluar të ia shkëpusim rrënjën, por nuk do të thotë që për tri vite kemi arritur që ta shkëpusim korrupsionin 100%. Deri tash nuk akuzohet ndonjë ministër apo kryeministri për korrupsion. Nëse unë kam ndonjë informatë për korrupsion e dërgoj tek organet përgjegjëse”, theksoi Thaçi.

Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Fatmir Humolli tashmë deputet i pavarur i Kuvendit të Kosovës është deklaruar për raportet e “Freedom Houese” dhe DASH-it lidhur me prezencën e madhe të korrupsionit në Kosovë.

Humolli thotë se derisa klasa politike ndryshe premton e ndryshe punon në qeverisje korrupsioni do jetë.

Ai është shprehur mosbesues ndaj dy organizatave që kanë publikuar raportet.

“Derisa klasa politike ndryshe ju thotë qytetarëve në fushata elektorale dhe ndryshe punon në qeverisje si rezultat i presionit ndërkombëtar dhe për qytetarin korrupsioni gjithnjë del si e keqe e rendit të dytë. Nuk u besoj organizatave ndërkombëtare sepse ato nuk janë korrekte. E ne ende nuk kemi arrit ta kuptojmë drejtë se Bashkësia Ndërkombëtare deri sa nuk është e interesuar që shqiptarët të jenë të lirë prej pushteti serb, korrupsioni është gjithnjë prezent”, u shpreh Humolli.

Humolli deklaroi se korrupsioni politik është e keqja që i sjell të gjitha të këqijat.

“Derisa nuk bëhet dezinfektimi nga ndikimet negative ndërkombëtare gjithnjë do ketë institucione të pa përgjegjshme. Korrupsioni politik është e keqja që i sjell të gjithë të këqijat”, vlerësoi Humolli.

Në raport thuhet se Qeveria e Kosovës nuk e ka zbatuar ligjin në mënyrë efektive për korrupsionin në qeveri.

“Ligji parashikon dënime penale për korrupsion nga zyrtarët, por qeveria nuk e zbatoi ligjin në mënyrë efektive. Pati raportime të shumta për korrupsion në qeveri. Zyrtarët ndonjëherë përfshiheshin në praktika korruptive pa u ndëshkuar. Mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe sundimi i dobët i ligjit në përgjithësi kontribuuan në këtë problem. Rastet e korrupsionit i nënshtroheshin rregullisht apelimeve të përsëritura dhe sistemi gjyqësor shpesh lejonte skadimin e parashkrimit”, thuhet në pjesën për korrupsionin të raportit të DASH-it.

Ndërsa, Kosova sipas raportit të Freedom House, nuk ka pasur një strategji formale kundër korrupsionit që nga viti 2018.

“Sipas Raportit të BE-së për vitin 2023, rezultatet e qeverisë në luftimin e korrupsionit janë të kufizuara”, thekson raporti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat