U akuzua se shpenzoi 3 milionë euro, reagon Krasniqi

Aktuale

U akuzua se shpenzoi 3 milionë euro, reagon Krasniqi

Më: 24 prill 2024 Në ora: 17:56
Elbert Krasniqi

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka deklaruar se mbështetja e Qeverisë për komunat s’ka qenë asnjëherë më e madhe, duke i reaguar ish-kryeministrit Avdullah Hoti që të hënën akuzoi ministrin për shpenzim të 3 milionë eurove me kontrata njëburimore për ndërtimin e shtëpive të komuniteteve.

Krasniqi ka deklaruar se ndërtimi i shtëpive është bërë nëpërmjet ngritjes së fondit nga 2 në 8 milionë euro, e sipas tij, kjo u bë institucionalizimit me ligj të grantit për performancën komunale.

“Ne kemi ngritur fondet nga 2 milionë në 8 milionë. Kjo ka ardhë pas mbështetjes së qeverisë e cila e ka institucionalizuar me ligj grantin e performances komunale. Për dallim me udhëheqjen nga ministrat e qeverisë tuaj, ka më shumë fonde për komunat e asnjë fond për RAD dhe kompanitë e udhëhequra nga Radoiçiq të cilat kanë përfituar nga qeverisja juaj në MAPL, vetëm në vitin 2015 kur Isa Mustafa ishte kryeministër, përfitoj mbi gjysmë milionë euro. Deputeti Hoti, nuk janë kontrata njëburimore në MAPL. Këtu janë subvencione për mbështetjen e qytetarëve dhe familjeve në nevojë dhe për subvencione nuk ka proces të prokurimit”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka shtuar se “mbase Hotit po i pengon mbështetja për komunitetet e margjinalizuara”. Ai ka thënë se dikur buxheti i komunave ishte 546.8 milionë euro, e sot është 742.3 milionë euro.

Hoti është shprehur gjatë ditës së bashkëpunimi i Qeverisë me pushtetin lokal kurrë s’ka qenë më i keq, e sipas tij, Krasniqi ka përgjegjësi “që për dy vjet janë vonuar të hyrat vetanake për komunat dhe i kanë bllokuar investimet kapitale nëpër komuna”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat