Fatmir Humolli: Korrupsioni politik është e keqja që i sjell të gjitha të këqijat

Aktuale

Fatmir Humolli: Korrupsioni politik është e keqja që i sjell të gjitha të këqijat

Më: 24 prill 2024 Në ora: 18:24
Fatmir Humolli

Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Fatmir Humolli tashmë deputet i pavarur i Kuvendit të Kosovës është deklaruar për raportet e “Freedom Houese” dhe DASH-it lidhur me prezencën e madhe të korrupsionit në Kosovë.

Humolli thotë se derisa klasa politike ndryshe premton e ndryshe punon në qeverisje korrupsioni do jetë.

Ai është shprehur mosbesues ndaj dy organizatave që kanë publikuar raportet.

“Derisa klasa politike ndryshe ju thotë qytetarëve në fushata elektorale dhe ndryshe punon në qeverisje si rezultat i presionit ndërkombëtar dhe për qytetarin korrupsioni gjithnjë del si e keqe e rendit të dytë. Nuk u besoj organizatave ndërkombëtare sepse ato nuk janë korrekte. E ne ende nuk kemi arrit ta kuptojmë drejtë se Bashkësia Ndërkombëtare deri sa nuk është e interesuar që shqiptarët të jenë të lirë prej pushteti serb, korrupsioni është gjithnjë prezent”, u shpreh Humolli.

Humolli deklaroi se korrupsioni politik është e keqja që i sjell të gjitha të këqijat.

“Derisa nuk bëhet dezinfektimi nga ndikimet negative ndërkombëtare gjithnjë do ketë institucione të pa përgjegjshme. Korrupsioni politik është e keqja që i sjell të gjithë të këqijat”, vlerësoi Humolli.

Në raport thuhet se Qeveria e Kosovës nuk e ka zbatuar ligjin në mënyrë efektive për korrupsionin në qeveri.

“Ligji parashikon dënime penale për korrupsion nga zyrtarët, por qeveria nuk e zbatoi ligjin në mënyrë efektive. Pati raportime të shumta për korrupsion në qeveri. Zyrtarët ndonjëherë përfshiheshin në praktika korruptive pa u ndëshkuar. Mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe sundimi i dobët i ligjit në përgjithësi kontribuuan në këtë problem. Rastet e korrupsionit i nënshtroheshin rregullisht apelimeve të përsëritura dhe sistemi gjyqësor shpesh lejonte skadimin e parashkrimit”, thuhet në pjesën për korrupsionin të raportit të DASH-it.

Ndërsa, Kosova sipas raportit të Freedom House, nuk ka pasur një strategji formale kundër korrupsionit që nga viti 2018.

“Sipas Raportit të BE-së për vitin 2023, rezultatet e qeverisë në luftimin e korrupsionit janë të kufizuara”, thekson raporti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat