Gazetari britanik thotë se masakra në Abri ishte më e madhja që kishte mbuluar

Aktuale

Gazetari britanik thotë se masakra në Abri ishte më e madhja që kishte mbuluar

Më: 24 prill 2024 Në ora: 20:31
Julius Strauss

Në vitin 1998, lanë vendlindjet e tyre.

Dy gazetarët britanik, Vaughan Smith e Julius Straus, zgjodhën të raportojnë për krimet serbe në Kosovë.

E prilli i 2024, dy gazetarët e luftës, i gjeti edhe një herë në Prishtinë.

Të dy, u bën pjesë e një paneli diskutimesh, mbi gazetarinë e luftës.

Fillimisht, ish-korrespodenti i BBC-së, Vaughan Smith, foli për ndikimin që media e kishte, gjatë luftës në Kosovë.

Ky tha se raportimi i tij mbi sulmin e forcave serbe në Prekaz, i hapi dyert bombardimeve të NATO-s.
“Çka është interesant, pas ngjarjeve në Prekaz, ne u kthyem në Hotel Grand në Prishtinë. Ndërsa kur i shikuam pamjet, kuptuam se ishte diçka shumë e madhe. Nuk kishim parë diçka të tillë më parë. Materiali doli në BBC dhe pati shumë ndikim. I hapi rrugë bombardimeve të NATO-s dhe po ashtu mobilizoi edhe diasporën shqiptare, sepse tanimë po e shihnin me sytë e tyre atë çfarë po ndodhte në Kosovë”, ka thënë ai.

Ndërkohë, gazetari britanik, Julius Strauss, i emocionuar tha se masakra në Abri të Epërme, ishte më e madhja që e kishte mbuluar si gazetar.

Madje shtoi se bëri një veprim, të cilin nuk mendonte kurrë se do ta bënte si gazetar.

“Shkuam në Abri, pasi dëgjuam se çfarë kishte ndodhur. Imer Deliu ishte i drejte me neve pasi na dërgoi tek vendi ku e kishte varrosur familjen. Ne po i shikonim varret, ishte moment emocionues ndërsa serbët ishin ende afër dhe filluan të gjuanin drejt nesh. Kur u ktheva në Prishtinë, pashë se Millosheviq posa kishte premtuar se forcat e tij nuk do të gjuanin nëse nuk do te sulmoheshin, por atë mëngjes posa e kishin bërë. Unë u lidha direkt në BBC. Kur filluan lajmet, fillimisht u transmetua ai fjalim i Millosheviqit, ndërsa pas kësaj në lidhje direkt unë se Millosheviqi është gënjeshtar dhe nuk mendova që këtë do ta thosha ndonjëherë si gazetar, por e bëra”, tha ai.

Për ndikimin e medieve gjatë luftës në Kosovë, foli edhe ish-gazetari i radios Kosova e Lirë, Nusret Pllana.

“Forcat serbe ishin munduar ta mbyllin çdo pore të informimit duke u munduar që krimi nuk do të hetohej”, u shpreh Pllana

E pranishme në këtë panel, ishte edhe ish-gazetarja e luftës, Ilire Zajmi.

Kjo kujtoi dy gazetarët e huaj, që u vranë gjatë raportimit në luftën e Kosovës.

“Për të arritur deri tek lajmi dhe verifikimi i tij, në Kosovë janë vrarë dy gazetarë të huaj”, tha ajo.

Në fund, në emër të familjes Deliu, gazetarët i falënderoi, Ymer Deliu.

Këtij të fundit, forcat serbe ia vranë plot 23 anëtar të familjes në masakrën e Abrisë së Epërme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat