Më shumë se gjysmë viti nga sulmi në Banjskë, Prokuroria Speciale nuk deklarohet

Aktuale

Më shumë se gjysmë viti nga sulmi në Banjskë, Prokuroria Speciale nuk deklarohet

Më: 24 prill 2024 Në ora: 20:44
Pamje të terroristëve nga sulmi në Banjskë, ku shihej edhe Milan Radoiçiq, 24 shtator 2023.

Në Banjskë e nisën, por plani i terroristëve të udhëhequr nga Milan Radoiçiq, dështoi me ikjen e tyre nga fshati kufitar i Zveçanit.

Por, ata lanë prapa një viktimë, tani heroin e vendit, Rreshterin Afrim Bunjaku, sikur edhe një arsenal të paparë armatimi që e kishin në posedim.

Por shtatë muaj pas sulmit terrorist, për të cilën Radoiçiq morri përgjegjësinë, mungon një aktakuzë për të përfshirët.
Pavarësisht presionit të vazhdueshëm, Prokuroria Speciale nuk ka ngritur ende asnjë aktakuzë lidhur me sulmin në Banjskë. Ata nuk kanë kthyer përgjigje për televizionin nëse janë afër këtij veprimi.

Në Institutin e Kosovës për Drejtësi, vlerësojnë se hetimet po vonohen për një arsye tjetër.

“Në bazë të informatave tona, janë kërkuar ekzaminime nga shtete të tjera për shkak se nevojiten ekzaminime të ndryshme e të cilat nuk mund të kryhen në Kosovë e që dërgimi i mostrave për ekzaminim në vende të tjera merr kohë më shumë për shkak se nuk mund të kryhen në Kosovë. Në rastin konkret shqetësues do duhej të ishte mungesa e kapacitevee që këto ekzaminime të kryhen këtu’, ka thënë Gëzim Shala.

Hulumtuesi Shala vlerëson se Kosova duhet të tregojë se ka arritur të kryejë një hetim me standarde ndërkombëtare gjersa theksoi se presioni i ekzekutivit karshi prokurorisë është i paarsyeshëm.

E nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike vlerësojnë se qasja e BE-së karshi Serbisë ka qenë tejet e butë.

Rasti, ka quar edhe në kritika të tjera nga qeveria kosovare drejtuar mos-veprimeve të Brukselit zyrtar, megjithëse këta të fundit, në vazhdimësi janë arsyetuar se janë pritje të përfundimit të hetimeve për rastin.

Por edhe në shoqërinë civile, shprehen se trajtimi i rastit nga ana e BE-së, ka shpërfaqur një tjetër problematikë.

“Është gabim sepse nën një qasja asimetrike e BE sepse Kosova për shumë më pak është e sanksionune prej BE-së dhe nuk po flitet për heqje të masave nga asnjë instance e BE. Nëse BE vazhdon me trajtu kaq butë sulmin e Banjskës karshi marrjes në përgjegjësi të Serbisë, atëherë i jep shumë komfort Serbisë që mi përserit veprimet e njëjta në të ardhmen sepse nuk është duke i prodhu pasoja”, ka than Arbëresha Loxha, drejtoreshë e “GLPS”.

Nga sulmi në Banjskë, i cili ndodhi më 24 shtator, mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

Çështja e sulmit në Banjskë është përmendur edhe në raportin e “Freedom House” për Kosovën në të cilin përmendet edhe ish-nënkryetari i Listës Serbe si përgjegjësi për sulmin.

Në sulmin e 24 shtatorit u vra rreshteri, Afrim Bunjaku gjersa të lënduar mbetën edhe tre police.

Tre pjesëmarrës të sulmit terrorist u vranë, ndërsa në pranga janë vënë tre serbë të dyshuar të cilëve me kërkesën e Prokurorisë, Gjykata u ka vazhduar masën e paraburgimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat