Sindikata e Pavarur e Administratës Publike kërkon dorëheqjen e kryetarit të BSPK-së

Aktuale

Sindikata e Pavarur e Administratës Publike kërkon dorëheqjen e kryetarit të BSPK-së

Më: 25 prill 2024 Në ora: 19:52
Ali Gashi

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës Publike të Kosovës, Ali Gashi ka kërkuar që kryetari i Sindikatave të Bashkuara të Kosovës, Atdhe Hykolli ta lëshojë këtë pozitë.

Sipas Gashit, ai më nuk mund t’i drejtoj dhe t’i përfaqësoj as kërkesat e sindikalistëve e punëtorëve.

“Kërkoj që Hykolli të reflektoj, ai nuk mund të jetë drejtues i bashkimit të sindikatave, nuk mund t’i drejtoj dhe t’i përfaqësoj as kërkesat e sindikalistëve e punëtorëve prandaj nëse ka pak moral dhe etikë ai duhet të dal dhe të kërkoj falje, dhe ta lëshojë atë pozitë sepse nuk e meriton, ai duhet ta di që misioni dhe detyra e tij është të thërret në unitet jo të përjashtoj, forma e përjashtimit të tij i ngjasoj atyre të viteve ‘89-90”, u shpreh ai.

Gashi më tej, ka sqaruar se pse po kërkohet dorëheqja e tij, duke treguar se Hykolli ka bërë përjashtime e ndëshkime ekskluzivisht për interesa të tij klienteliste.

“Jemi të shqetësuar por edhe të befasuar duke marr parasysh që Hykolli është edhe profesor universitar. Kemi besuar që me ardhjen e tij krye të Bashkimit të Sindikatës së Kosovës do ta çoj përpara këtë federatë dhe do të krijojë një unitet, por fatkeqësisht ai e ka zgjedh rrugën e përjashtimit, ndëshkimit dhe mbylljes apo edhe kapjes së bashkimit të sindikatave, që është bërë ekskluzivisht për interesat të tij klienteliste”, shtoi ai.

Duke u shprehur i befasuar, Gashi ka thënë se Hykolli ka kryer punësime kundërligjore, për çka edhe është thirr në diskutim nga sindikatat por që i njëjti nuk ka gjetur kohë të përgjigjet që nga dhjetori i vitit 2023.

“Nuk ka asnjë aktivitet që mund të krenohet, ka dështuar në formimin e këshillit ekonomik social, ka dështuar tek paga minimale, tek marrëveshja kolektive, BSPK nuk ka asnjë aktivitet nën udhëheqjen e Hykollit. Që nga muaji 12 i vitit 2023 e deri më sot kur flas, edhe pse ne federatat në vazhdimësi kemi bërë kërkesa që të ftohet kryesia ekzekutive që diskutohen të gjitha këto probleme që janë realisht mëdha ai nuk gjen kohë dhe së fundmi tani shihet që disa veprime të tij janë kundërligjore, disa punësime që as nuk e kemi prit që do të ndodhin nga ana e tij, dhe jemi sinqerisht të zhgënjyer dhe të befasuar për keq”, tha ai.

Gashi ka njoftuar se Hykolli ka lidhur dy kontrata ani-ligjore e anti-statuore, ku janë punësuar dy persona dhe paguhen kundërligjshëm nga ai.

Gjatë ditës disa sindikata edhe dolën në një konferencë për medie, ku shpalosën të gjitha pakënaqësitë që kanë ndaj Hykollit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat