“Serbia kërkon që strukturat ilegale të financohen deri në krijimin e Asociacionit”/ Krejt çka ndodhi dje në takimin trepalësh në Bruksel

Aktuale

“Serbia kërkon që strukturat ilegale të financohen deri në krijimin e Asociacionit”/ Krejt çka ndodhi dje në takimin trepalësh në Bruksel

Më: 26 prill 2024 Në ora: 08:01
Bislimi- Lajçak- Petkovic

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha pas rundit të ri të dialogut, se Serbia kishte “qëndrime shqetësuese” sa i përket çështjes së transferimit të mjeteve financiare në valutën dinar nga Serbia në Kosovë.

Pas takimit me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, ai tha se tani ndërmjetësi evropian, Mirosllav Lajçak do të dalë me një propozim të ri rreth zgjidhjes së kësaj çështjeje.

“Qëndrimi i palës serbe është që të gjitha strukturat ilegale të Serbisë duhet të financohen, të vazhdojnë të financohen deri në kohën kur të krijohet Asociacioni [i komunave me shumicë serbe], sepse sipas mendimit të tyre, qëllimi i Asociacionit nuk është që të sigurojë koordinim të mirë mes komunave, por të sigurojë legjitimizmin e pranisë së institucioneve serbe në Kosovë, që do t’i bënte ato institucione gjysmëserbe, por jo institucione të serbëve në Kosovë”, tha Bislimi.

Bislimi tha se sa i përket idesë së krijimit të një entiteti të ri biznesor në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, në mënyrë që ndihma financiare të shkojë te përfituesit, përmes konvertimit të Postës serbe, Serbia ka parë këtë ide si “ një lloj privatizim të postës” nga Kosova.

“Sigurisht, të gjitha këto propozime ishin shumë destruktive, prandaj Lajçak do të dalë me një propozim të ri dhe ne do të duhet të japim mendimet tona për këtë propozim në shtatë ditët e ardhshme”, tha Bislimi për gazetarët pas takimit trepalësh.

Ndërsa, Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka thënë se pas shtatë orësh bisedimesh në Bruksel, Beogradi ka treguar konstruktivitet, ka paraqitur propozimet e tij për gjetjen e zgjidhjeje për Rregulloren e re të BQK-së, por se ekipi i delegacionit të Kosovës nuk dëshiron zgjidhje.

“Bisedimet kanë qenë të vështira dhe të tensionuara, por kanë qenë të drejtpërdrejta, gjë që është e mirë. Edhe unë edhe ekspertët patëm mundësinë që të paraqesim propozimet tona për idetë e BE-së dhe për të zgjidhur çështjen e dinarit”, tha Petkoviq, shkruan Tanjug.

Po ashtu, i Dërguari i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka treguar se në takimin e djeshëm të ekipeve negociatore ka prezantuar një dokument që ai e quan të kompromisit.

Takimi mes Bislimit dhe kryenegociatorit të Serbisë, Petar Petkoviq, ishte i pesti që zhvillojnë në Bruksel për çështjen e dinarit, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë në shkurt.

Për dallim nga takimet e mëparshme, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, nuk mbajti fillimisht takime të ndara me Bislimin dhe Petkoviqin, duke u futur drejtpërdrejt në takim trepalësh me ta

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat