Arrestohet një person nën dyshimin për krime lufte në Kosovë

Aktuale

Arrestohet një person nën dyshimin për krime lufte në Kosovë

Më: 27 prill 2024 Në ora: 19:53
Ilustrim

Policia e Kosovës e ka arrestuar një person të shtunën në kufirin verior të vendit me Serbinë, nën dyshimin se ka kryer krime lufte kundër civilëve gjatë luftës së vitit 1998-1999 në Kosovë, njoftuan autoritetet kosovare.

Në një komunikatë të përbashkët, Prokuroria Speciale dhe Policia thanë se të dyshuarin me inicialet J.S., e ndaluan në pikën kufitare Bërnjak, pasi ai dyshohet se ka kryer veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”.

“Me aktvendim të Prokurorisë Speciale, i njëjti është ndaluar për 48 orë, dhe brenda afateve kohore ligjore ndaj të njëjtit kjo prokurori do të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit”, thuhet në njoftim.

Ai dyshohet për kryerjen e krimeve të luftës në qytetin jugperëndimor të Kosovës, Gjakovë.

Dhjetorin e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte thënë se ka ngritur gjithsej 33 akuza, që përfshijnë 89 persona, për krime lufte në Kosovë.

Prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-99 janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat